
Të dënuarit me burgim dhe të paraburgosurit mund të kenë të drejtën të zgjedhin vetë mjekun apo institucionin shëndetësor ku dëshirojnë të vizitohen, me kusht që të mbulojnë shpenzimet mjekësore dhe kostot e tjera që rrjedhin nga zgjedhja e tyre. Ky është propozimi i deputetes së Partisë Socialiste, Enriketa Jaho, e cila ka depozituar më 19 nëntor në Kuvend një projektligj për ndryshimin e ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”.
Nisma e protokolluar me numrin 6597, parashikon riformulimin e nenit 41 të ligjit dhe transferimin e përgjegjësisë për kujdesin shëndetësor të të burgosurve nga sistemi penitenciar te strukturat në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Sipas projektligjit, personat e privuar nga liria do të përfshihen në kategorinë e personave ekonomikisht joaktivë, duke përfituar pa pagesë shërbimet e mbuluara nga skema e sigurimeve shëndetësore.
Një nga parashikimet e pikës 4 të nenit të riformuluar është e drejta e të burgosurve për të zgjedhur mjekun ose institucionin shëndetësor brenda vendit, kundrejt mbulimit të shpenzimeve prej tyre. Për të dënuarit në institucionet e sigurisë së lartë, ushtrimi i kësaj të drejte do të bëhet vetëm pas vlerësimit të rrezikshmërisë së tyre.
Ndërsa për personat e vendosur në regjimin e posaçëm, sipas nenit 17 të ligjit, kjo e drejtë nuk do të zbatohet, përveç rasteve kur shërbimi i kërkuar nuk ofrohet nga strukturat shëndetësore të burgjeve dhe institucionet spitalore. Projektligji përcakton gjithashtu detyrimin e personelit mjekësor për të vizituar pa vonesa të burgosurit e sëmurë, në varësi të urgjencës dhe nevojave të tyre shëndetësore. Kërkesa për vizitë mund të paraqitet me shkrim ose verbalisht.
