Gazetari Artan Hoxha ka komentuar deklaratat e ambasadorit amerikan pas takimit me drejtuesit e SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, duke u ndalur te urgjenca për sigurimin e provave në hetimet ndaj organizatave kriminale.
I ftuar në emisionin “Now” në Euronews Albania, Hoxha shpjegoi se mesazhi i ambasadorit lidhet me përdorimin e platformave të komunikimit të koduar nga grupet kriminale, ku shkëmbehen sasi të mëdha informacioni që mund të humbasin nëse nuk sigurohen në kohë.
Për të ilustruar këtë rrezik, gazetari solli në vëmendje zbërthimin e platformave EncroChat dhe Sky ECC, të cilat çuan në zbulimin e komunikimeve dhe aktivitetit të shumë organizatave kriminale në vende të ndryshme.
Sipas tij, pas goditjes së këtyre sistemeve u krijua një vakum në komunikimin mes grupeve kriminale, ndërsa më pas u shfaqën platforma të reja.
“Ambasadori amerikan bën thirrje që provat të kërkohen sot, pasi provat prishen shpejt, databazat mbingarkohen. Pasi u thye EncroChat dhe Sky, u krijua një vakum, mbeti bosh dhe krimi i organizuar pësoi një kolaps, nuk kishin si të komunikonin. Në atë moment FBI kërkoi një rrjet dhe e hodhi në treg. Për 6 muaj u zbuluan 200 organizata kriminale”, u shpreh Hoxha.
Gazetari nënvizoi se sot grupet kriminale kanë kaluar në përdorimin e aplikacioneve të tjera, por asnjë sistem komunikimi nuk është plotësisht i papërgjueshëm.
“Kanë dalë shumë programe të tjera, por nuk ka asgjë të papërgjueshme. Ambasadori i SHBA-së e ka fjalën për këto programe. Aty komunikimi është aq i madh sa informacioni humbet”, deklaroi ai.













