Protestoi dhe u gjobit me 5 milionë lekë, Gjykata pezullon ndëshkimin ndaj 17-vjeçarit
Gjykata Administrative e Tiranës ka pezulluar ekzekutimin e gjobës prej 500 mijë lekësh të reja (5 milionë lekë të vjetra) ndaj 17-vjeçarit Erind Goçllari, i cili u ndëshkua nga Policia e Shtetit për pjesëmarrjen në protestë.
Vendimi i gjykatës do të thotë se i mituri nuk është i detyruar ta paguajë gjobën deri në përfundimin e procesit gjyqësor. Ndërkohë, mbetet për t’u shqyrtuar nëse masa administrative e vendosur nga Policia ka qenë e ligjshme.
Çështja është dërguar në gjykatë nga avokati Ledio Braho, i cili përfaqëson 17-vjeçarin. Sipas tij, janë paraqitur dy kërkesa: e para për anulimin e gjobës dhe e dyta për pezullimin e ekzekutimit të saj deri në përfundimin e gjykimit.
Gjykata ka pranuar kërkesën për pezullimin e gjobës, duke ndaluar Policinë që të vijojë me mbledhjen e detyrimit financiar për sa kohë çështja është në shqyrtim.
“Drejtoria e Policisë nuk mund të vijojë me ekzekutimin e gjobës derisa të mbyllet gjyqi me vendim të formës së prerë. Kjo është ajo që është e rëndësishme në këtë moment”, është shprehur Braho për Citizens.al.
17-vjeçari jeton në kushte të vështira ekonomike
Përtej betejës ligjore, rasti i të miturit merr një dimension edhe më të ndjeshëm për shkak të kushteve të tij familjare dhe ekonomike.
Erind Goçllari ka humbur nënën kur ishte vetëm 9 vjeç dhe prej tetë vitesh jeton me të atin, motrën dhe vëllanë, në kushte të vështira ekonomike.
Ndërsa gjykata ka pezulluar përkohësisht ekzekutimin e gjobës, beteja për anulimin e saj do të vijojë në procesin gjyqësor. Vendimi përfundimtar do të përcaktojë nëse ndëshkimi i vendosur ndaj 17-vjeçarit nga Policia ishte në përputhje me ligjin.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



