Policia e Korçës ka zbardhur rrethanat e ngjarjes ku mbeti i plagosur me thikë 30-vjeçari Anxhelo Brisku, duke zbuluar se konflikti ka ndodhur në rrethana të ndryshme nga ato që kishte deklaruar fillimisht i plagosuri.

Burime bëjnë me dije se gjatë pasdites së sotme është shoqëruar në komisariat autori i dyshuar i plagosjes, një 35-vjeçar me inicialet I.M.

Sipas të dhënave paraprake, ngjarja ka ndodhur në ambientet e një lokali në fshatin Zvezdë të Maliqit, ku Anxhelo Brisku dyshohet se ka hyrë duke u prezantuar si punonjës policie dhe më pas ka goditur me sende të forta 35-vjeçarin.

Ky i fundit, gjatë konfliktit, dyshohet se e ka goditur Briskun me një mjet të mprehtë, duke e lënë të plagosur.

Nga ana tjetër, mësohet se është shpallur në kërkim edhe 30 vjeçari Brisku pasi ka dhënë deklarim të rremë të ngjarjes dhe të vendit ku kishte ndodhur, duke pretenduar se ishte duke ecur në rrugë në fshatin Neviçisht, kur ishte sulmuar nga disa persona.

Vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.