Personat e moshuar me nivele më të larta të vitaminës D në gjak priren të flenë më gjatë dhe të kalojnë më pak kohë zgjuar gjatë natës. Ky është përfundimi i një studimi të Universitetit Johns Hopkins, i cili zbuloi se personat me mungesë të kësaj vitamine flinin mesatarisht 23 minuta më pak.
Studiuesit analizuan të dhënat e 460 burrave dhe grave, me moshë mesatare rreth 71 vjeç, të cilët u ndoqën në periudhën 2012–2019.
Nivelet e vitaminës D u përcaktuan përmes analizave të gjakut, ndërsa gjumi u monitorua me një pajisje të vendosur në kyçin e dorës. Krahasimi tregoi se pjesëmarrësit me nivele normale të vitaminës D flinin më gjatë sesa ata që kishin mungesë të saj.
Lidhja mes niveleve të vitaminës dhe cilësisë së gjumit ishte më e dukshme te pjesëmarrësit afro-amerikanë, një grup që, sipas studiuesve, përballet më shpesh me mungesë të vitaminës D dhe probleme me gjumin.
Megjithatë, autorët bëjnë kujdes të theksojnë se rezultatet nuk provojnë se vitamina D përmirëson drejtpërdrejt gjumin. Studimi evidenton një lidhje mes dy faktorëve, por nuk përcakton nëse njëri shkakton tjetrin.
Një tjetër kufizim është se studiuesit nuk përcaktuan se nga e merrnin pjesëmarrësit vitaminën D, nëse përmes ushqimit, ekspozimit në diell apo përdorimit të suplementeve.
Autorët vlerësojnë se nevojiten kërkime të mëtejshme për të kuptuar nëse korrigjimi i mungesës së vitaminës D mund të ndikojë në kohëzgjatjen dhe cilësinë e gjumit, veçanërisht te personat e moshuar.


