Për presidenten e Komisionit Europian, Shqipëria ka ecur me një ritëm mbresëlënës sa I takon procesit të anëtarësimit në BE. Në konferencën për shtyp të mbajtur në përfundim të samitit Bashkimi Europian-Ballkani Perëndimor, presidentja e KE tha se unioni po përgatitet për zgjerimin. Po shohim përparim inkurajues. Mali i Zi po i afrohet vijës së finishit të negociatave të anëtarësimit. Shqipëria vijon të ecë drejt këtij objektivi me një ritëm mbresëlënës. Në fillim të këtij muaji, prezantuam udhërrëfyesit për të dyja vendet. Këta udhërrëfyes përcaktojnë përparësi dhe etapa të qarta për punën që na pret. Dhe dëshirojmë që edhe të tjerët të ndjekin këtë shembull. Në të njëjtën kohë, po përgatitim edhe Bashkimin tonë. Kemi shqyrtuar se çfarë nënkupton zgjerimi për institucionet, politikat dhe buxhetin tonë. Kjo sepse zgjerimi duhet të jetë i suksesshëm si për shtetet anëtare aktuale, ashtu edhe për ato të ardhshme.