“Ne jemi gati”, Çitaku fton BE-në në konsultime për Ligjin për Specialen
Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka mirëpritur gatishmërinë e Bashkimit Evropian për t’u konsultuar me përfaqësuesit e Kosovës lidhur me procesin e amendamentimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Në një postim në Facebook, Çitaku i ka ftuar përfaqësuesit e BE-së që të marrin pjesë në konsultimet e parapara për nesër, duke thënë se PDK-ja është e gatshme për këtë proces.
Ajo ka theksuar se synimi i amendamentimit të ligjit është garantimi i një procesi të drejtë dhe të paanshëm, në të cilin respektohen parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut.
“Besoj se thirrja për drejtësi na bashkon. Edhe me Bashkimin Evropian”, ka shkruar Çitaku.















