Kryetari i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, është kallëzuar penalisht në Prokurorinë e Tiranës nga një biznesmen italian, i cili pretendon se i është shkaktuar një dëm financiar prej rreth 300 mijë eurosh përmes përdorimit të kompanisë dhe llogarive të tij për shërbime reklamimi në Google.
Sipas kallëzimit të publikuar nga gazetari Adriatik Doçi, shtetasi italian Ivo Angelo Monzani pretendon se Shehaj, në bashkëpunim me Lulzim Shehajn dhe Albion Agajn, ka përfituar nga besimi i tij dhe ka përdorur kompaninë e tij për të kryer aktivitet reklamues, duke i shkaktuar detyrime të konsiderueshme financiare.
Në kallëzim thuhet se Shehaj e kishte kontaktuar biznesmenin italian duke i kërkuar të dhënat e kompanisë, me qëllim përdorimin e saj për shërbime reklamimi në Google. Sipas pretendimit të Monzanit, kjo kërkesë ishte bërë pasi kompania e Shehajt ishte bllokuar nga Google për shkelje të termave dhe kushteve të platformës.
Biznesmeni pretendon se, pasi kompania e tij u përfshi në këtë aktivitet, kostot dhe faturat nisën të rriteshin, duke arritur në rreth 300 mijë euro. Sipas tij, Shehaj kishte marrë përsipër kthimin e parave, por nuk e kishte përmbushur këtë zotim.
Në dokumentin e kallëzimit, Monzani pretendon se gjatë verifikimeve me përfaqësues të Google Support dhe auditimit të llogarive të tij ka konstatuar krijimin e llogarive të tjera reklamuese në emër të kompanive të tij, pa autorizimin e tij.
Ai pretendon gjithashtu se kreditë reklamuese dhe mjetet e pagesës të lidhura me kartat e tij bankare janë përdorur për të reklamuar kompani të tjera, ndërsa të dhënat identifikuese dhe dokumentet e bizneseve të tij janë shfrytëzuar për fushata marketingu që, sipas tij, nuk kishin lidhje me aktivitetin e kompanive italiane.
“Janë krijuar llogari reklamuese shtesë në emrin e kompanive të mia, pa autorizim nga unë; janë shfrytëzuar kreditë reklamuese dhe mjetet e pagesës të lidhura me kartat e mia bankare për të reklamuar kompani të tjera të palës së dytë në të gjithë territorin italian”, thuhet në kallëzim.
Biznesmeni pretendon se, pas zbulimit të këtyre veprimeve, ka bllokuar kreditë në Google Ads dhe ka ndryshuar kredencialet e llogarive për të parandaluar dëme të tjera.
Në dokumentin e depozituar në Prokurorinë e Tiranës, Monzani pretendon se ndërhyrjet në llogaritë kompjuterike janë kryer nga Shqipëria, përmes pajisjeve dhe rrjeteve të internetit të vendosura në Tiranë. Ai përmend në kallëzim edhe kompanitë “Pronto Intervento 24”, “Direct 24”, “LocalWeb” dhe “North Wind”, duke pretenduar se administratorë dhe persona përgjegjës të tyre kanë ndërhyrë në llogaritë e kompanive të tij.
Sipas kallëzuesit, të ardhurat e gjeneruara nga reklamat dhe telefonatat orientoheshin drejt kompanive të regjistruara në Shqipëri.
Pretendimet e biznesmenit italian janë pjesë e kallëzimit penal dhe mbeten për t’u verifikuar nga organet e drejtësisë. Deri në përfundimin e hetimeve dhe një vendimi gjyqësor, ato nuk përbëjnë fakte të provuara.







