Një skiator ka shkaktuar një ortek pranë Red Mountain Pass, në shtetin amerikan të Kolorados, në një incident që është regjistruar me kamerë.

Ngjarja ndodhi në një periudhë kur në këtë rajon malor janë vërejtur disa ortekë të shkaktuar nga aktiviteti njerëzor, disa prej të cilëve janë vlerësuar ndër më të mëdhenjtë e këtij dimri.


Sipas Qendrës së Informacionit për Ortekët në Kolorado, disa raste të tilla janë regjistruar gjatë fundjavës, duke shtuar shqetësimet për sigurinë në zonat malore.

- YouTube www.youtube.com

Ekspertët shpjegojnë se reshjet e fundit të dëborës, të kombinuara me erërat e forta, kanë krijuar shtresa të trasha dhe të ngjeshura në sipërfaqe, të cilat mbështeten mbi shtresa më të dobëta dhe më pak të qëndrueshme.

Ky konfigurim i dëborës krijon kushte të favorshme për përhapjen e çarjeve në distanca të mëdha. Për rrjedhojë, shkëputja e dëborës në një pjesë të shpatit mund të shkaktojë ortekë që përhapen në zona të gjera dhe përfshijnë edhe shpatet përreth.

Specialistët paralajmërojnë se paqëndrueshmëria e shtresave të dëborës po rrit rrezikun në malet e Kolorados.

Ata vlerësojnë se kushtet aktuale mund të shkaktojnë ortekë të mëdhenj dhe me pasoja të rënda, ndaj u bëjnë thirrje skiatorëve dhe vizitorëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë aktiviteteve në këto zona. /Telegrafi/