
Ditët e fundit, në qendër të vëmendjes së botës mediatike dhe kishtare është botimi i ditarit të Papa Françeskut nga prefekti i Dikasterit për Doktrinën e Fesë, Víctor Manuel Fernández. Në fakt, nuk bëhet fjalë për një ditar të mirëfilltë, por për copëza kujtimesh që shtrihen nga viti 1992 deri pak para vdekjes së tij, të cilat Jorge Mario Bergoglio ia besoi njërit prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë në Kurien Romake. Nuk duhet të harrojmë se ky botim u realizua me miratimin e plotë të Papa Leonit. Tema të tilla si kriza e tij shpirtërore gjatë viteve 2021–2022, apo edhe përvoja e tij me të Keqin, duket se kanë marrë qendrën e vëmendjes.
Ashtu siç pohon vetë kardinali argjentinas në një intervistë për një të përditshme italiane, bëhet fjalë për disa copëza shkrimesh, në të cilat Papa përshkruan disa nga përvojat e tij shpirtërore, por jo vetëm, të cilat kanë shënuar jetën e tij gjatë këtij harku kohor.
Kriza shpirtërore
Ata që njohin mistikën shpirtërore të krishterë e dinë se kemi të bëjmë me një fenomen «normal» për ata që jetojnë një marrëdhënie intensive me Zotin dhe që përpiqen ta mishërojnë atë në misionin që Kisha u ka besuar. Mjafton të kujtojmë Shën Gjonin e Kryqit, Shën Terezën e Avilës apo, së fundmi, edhe Nënë Terezën, të cilët kanë përjetuar në mënyrë të ngjashme të njëjtën përvojë.
Duhet ta kemi të qartë se nuk bëhet fjalë për mosbesim në kuptimin e ateizmit apo për bindjen se Zoti nuk ekziston, por për një “natë të errët”, në të cilën njeriu, i ndikuar nga faktorë të ndryshëm, përjeton vështirësi ose, më saktë, ftohtësi në marrëdhënien me Zotin.
Nëpërmjet nxjerrjes në pah të këtij fenomeni, Papa, në mënyrë të drejtpërdrejtë, na kujton neve të krishterëve, por jo vetëm, se besimi nuk jetohet thjesht si përkatësi, por si një marrëdhënie e përditshme dashurie. Vetëm në këtë horizont mund të kuptohet ekzistenca e krishterë dhe madhështia e të qenurit i tillë. Është pikërisht kjo marrëdhënie e përditshme dashurie që edhe sot bën që jo pak të krishterë t’ia kushtojnë jetën Zotit dhe të derdhin edhe gjakun për Krishtin.
Prania e të Keqit në jetën njerëzore
Ndër të parat gjëra për të cilat Shkrimi i Shenjtë, Etërit e Kishës apo edhe shumë shenjtër flasin dhe e mësojnë njeriun të përballet, është pikërisht kjo prani, e cila te persona të ndryshëm, të ndikuar nga përvojat personale, shfaqet në forma dhe momente të ndryshme.
Duhet të saktësojmë se nuk ekziston një formë specifike dhe e përkufizuar e shfaqjes së pranisë djallëzore. Ekzistojnë situata, fenomene apo edhe persona që, fatkeqësisht, shpeshherë mishërojnë këtë prani. Mësimet e Etërve të Kishës dhe manualet e përshpirtërisë së krishterë e dëshmojnë shumë qartë këtë gjë.
Nëpërmjet këtij shkrimi, duke pasqyruar këtë aspekt, Papa argjentinas shfaqet në vazhdimësi të plotë me traditën e përshpirtërisë së krishterë.
Papa i mëshirës dhe Papa i të varfërve
Këto shkrime, që përcjellin përvojën e tij shpirtërore, vërtetojnë se ku qëndronte burimi dhe frymëzimi i Jorge Mario Bergoglios për shumë prej veprimeve të tij, të cilat gabimisht, shpeshherë, interpretoheshin si diçka e pazakontë për një Papë.
Në moton e tij ipeshkvnore dhe më vonë edhe në atë papnore, ai kishte zgjedhur një fragment që përcillte pikërisht këtë cilësi hyjnore, siç është mëshira.
Mëshira e Zotit nuk duhet kuptuar si një bindje që të çon drejt një lirie pa kufij, e cila është e aftë të justifikojë çfarëdo lloj modeli jetese. Përkundrazi, ajo duhet kuptuar si një cilësi hyjnore, e cila bën që askush të mos ndihet i përjashtuar nga plani hyjnor, mjafton që të kthejë shikimin drejt Atij që është burimi dhe mishërimi i mëshirës: Krishtit Jezus.
Jo rastësisht, në këto shkrime, ai tregon se të gjitha momentet e përballjes me të Keqin i kishte kaluar duke medituar dhe duke i kujtuar vetes këtë realitet hyjnor.
Pikërisht duke u bazuar në këtë pikëpamje të drejtë të realitetit hyjnor, të cilin ai e jetonte çdo ditë dhe e kishte ndier gjatë gjithë jetës së tij, Papa vazhdimisht reagonte dhe vepronte, duke ndier përgjegjësi edhe për ato shtresa të shoqërisë, të cilat, në një shoqëri me ritme shumë të shpejta si kjo e jona, rrezikojnë të mos jenë në qendër të vëmendjes.
Leximi i këtyre shkrimeve, përveçse vërteton intensitetin e jetës shpirtërore të një njeriu si Jorge Mario Bergoglio, tregon edhe madhështinë e Kishës, Nuses së Krishtit, së cilës Shpirti i Shenjtë i dërgon gjithmonë njerëzit e duhur për ta drejtuar në kohën e duhur. /Nga Dom Mark PASHKJA, zëdhënës i KISH/




