Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ligji për Specialen, Kuvendi dhe agjenda evropiane | KONFRONT

Koci: Momenti për Ligjin për Specialen i favorshëm

4 o. më parë / 25 nën 2026 21:10
Melazim Koci

Ish-kryeredaktori i Radio Evropës së Lirë, Melazim Koci, ka thënë se janë dy çështje që duhen marrë parasysh sa i përket nismës së re për Ligjin për Dhomat e Specializuara. 

E para ai ka thënë se duhet të ketë pajtim mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës për një tekst unik dhe e dyta të shihet nëse ai tekst do të jetë i pranueshëm për Bashkimin Evropian. 

Koci në “Konfront” të KTV-së ka vlerësuar se momenti nuk është i pafavorshëm, ndërsa ka përmendur samitin e para pak ditëve të mbajtur në Kinë mes presidentit të SHBA-së, Donald Trump, atij të Rusisë, Vladimir Putin dhe atij të Kinës, Xi Jinping. 

“Momenti është i favorshëm për Kosovën. Në takimin Trump – Putin – Xi, janë miratuar katër konkluzione që janë politike...Pika e tretë ka të bëjë me Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe thotë edhe institucione të ngjashme. E unë besoj ka të bëjë me Kosovën. Në atë pikë thuhet se tre krerët e shteteve pajtohen që parimi i pëlqimit të shteteve dhe respektimit të imuniteteve të zyrtarëve shtetërorë janë të rëndësisë parësore dhe u pajtuan që Gjykata Ndërkombëtare Penale dhe organet e tjera të ngjashme nuk duhet ta keqpërdorin juridiksionin e tyre”, tha Koci. “Ata flasin për Gjykatën Penale Ndërkombëtare që SHBA-ja i ka shpall luftë... E përmendin organe tjera të ngjashme, e një nga to është Gjykata Speciale”. 

Koci ka thënë se është moment i volitshëm që Kosova të thirret në këtë pikë e të veprojë mbi këtë parim. Ai ka thënë se është rrethanë e favorshme dhe mund të organizohet një tryezë ndërkombëtare në Prishtinë, përfshirë me zyrtarë të Bashkimit Evropian, të SHBA-së dhe ekspertë të jashtëm e vendorë. 

“Të debatohet e sensibilizohet çështja. Kështu sensibilizohet”, tha Koci. 

Koci ka folur edhe për Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor. 

Ai ka thënë se BE-ja është treguar shumë zemërgjerë ndaj Kosovës. 

“Në shumë aspekte tjera nuk janë shumë zemërgjerë me Kosovën. Personalisht kam shumë vërejtje në qëndrimin e tyre në raport me Kosovën. Në rastin e Planit të Rritjes ka qenë shumë zemërgjerë. Nëse merren shumat që janë ndarë për vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosovës i është ndarë shuma më e lartë për kokë banori”, tha Koci. 
 

Berani për Ligjin për Specialen: Politikanët po japin autogola

4 o. më parë / 25 nën 2026 20:42
Evliana Berani

Gazetarja Evliana Berani ka kritikuar mënyrën se si është iniciuar diskutimi për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke thënë se politikanët dhe deputetët në Kosovë po bëjnë gabime në rrafshin politik dhe po “japin autogola”.

Berani ka thënë se iniciativa për këtë çështje është nisur në mënyrë të gabuar, pasi sipas saj nuk është analizuar mjaftueshëm dhe nuk është marrë parasysh se përveç ligjit në fuqi, ekziston edhe marrëveshja ndërkombëtare që lidhet me Gjykatën Speciale.

“E gjithë iniciativa për këtë ligj është nisur mbrapsht. Nuk është menduar, nuk është analizuar si duhet dhe realisht ne në Kosovë, politikanët, deputetët po vazhdojnë të japin autogola”, ka thënë Berani në “Konfront”. 

Ajo theksoi se në diskursin publik po flitet vazhdimisht për Ligjin për Specialen, ndërsa sipas saj diskutimi duhet të përfshijë dy dokumente kryesore – ligjin në fuqi për Dhomat e Specializuara dhe marrëveshjen ndërkombëtare.

“Janë dy lloje të dokumenteve për të cilat duhet të diskutohet. Është ligji në fuqi për Gjykatën Speciale dhe marrëveshja ndërkombëtare. A do të ketë efekt juridik apo jo, është temë për debat”, shtoi ajo.

Sipas Beranit, edhe nëse Kosova arrin të ndryshojë apo shfuqizojë ligjin, pa një pajtueshmëri për ndryshimin ose zhbërjen e marrëveshjes ndërkombëtare dhe obligimeve që Kosova ka marrë ndaj partnerëve ndërkombëtarë, ndryshimi i ligjit mund të mos prodhojë efektin e synuar.

“Nëse nuk arrin pajtueshmëri që të zhbëhet apo ndryshohet marrëveshja ndërkombëtare dhe obligimet që i ka Kosova me ndërkombëtarët, atëherë edhe ai ligj mund të mbetet një shkronjë e vdekur në letër”, u shpreh Berani.

Bajraktari: Deputetët t’i japin epilog formal ligjit të kthyer të Speciales

4 o. më parë / 25 nën 2026 20:40
Ardian Bajraktari

Avokati Ardian Bajraktari ka thënë se deputetët e Kuvendit duhet t’i japin edhe formalisht një përgjigje ndryshimeve ligjore në Ligjin për Gjykatën Speciale, të kthyer nga presidentja Justina Shiroka-Pula me kërkesë të vetë iniciuesve, Partisë Demokratike të Kosovës.

Nga PDK-ja kanë bërë të ditur se do të ketë ligj të ri për këtë çështje. E në “Konfront” të KTV-së, Bajraktari ka thënë se para se të ndodhë kjo, deputetët duhet t’i japin përgjigje zyrtare ligjit të kthyer.

“Arsyet e kthimit nga ana e presidentes do të duhej të ishin më të detajizuara, por edhe si të tilla s’pati vullnet dhe as gatishmëri për t’i adresuar ato sepse s’ka pasur dhe s’ka pengesa kushtetuese dhe rregullores së punës së Kuvendit për të bërë intervenime. S’pati vullnet. Ishim dëshmitarë të një diskutimi shumë formal në komisionin për legjislacion. Tash me shumë gjasë kjo nismë ka rënë, por vlerësoj se si e tillë duhet të adresohet edhe në kuptimin formal në seancën e Kuvendit në mënyrë që të shihet vullneti i deputetëve. Natyrisht nuk ka efekt juridik. I bie njëfarë nismë e vdekur në kuptim të plotë të fjalës. Por megjithatë vlerësoj se para nisjes formale të nismës së re, kjo duhet të marrë epilog për të parë vullnetin e deputetëve të Kuvendit sepse për ta shmangur veton e presidentes duhen së paku 61 vota për. Nëse i merr 61 vota ky ligj siç me automatizëm publikohet në gazetën zyrtare dhe fillon të prodhojë efekte. Në të kundërtën, në mungesë të këtyre numrave, i bie që edhe në kuptimin formal bie nisma”, ka thënë ai.

Bajraktari ka bërë thirrje që nisma e re të ketë të paktën procesin minimal të konsultimeve, e edhe diskutime me Bashkimin Evropian.

Nisma për ndryshim/plotësimin e Ligjit për Gjykatën Speciale u ndërmor nga PDK-ja pas dënimit të Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.

Ata janë dënuar në shkallë të parë me 81 vjet burgim gjithsej me pretendimin se kanë kryer krime lufte.