Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Përplasje fizike në Asamblenë e Mitrovicës

Përplasje fizike në Asamblenë e Mitrovicës

Debati për çështjen e financimit të klubeve sportive në Komunën e Mitrovicës së Jugut ka përfunduar në përplasje fizike mes drejtorit të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Gazmend Asllani, dhe asamblistit të Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Berisha.

Përplasja verbale nisi gjatë diskutimit, kur drejtori Asllani iu drejtua shefit të grupit të asamblistëve të PDK-së, Shkëlqim Ibrahimi, me fjalët “ju nuk keni fytyrë”. Pas kësaj, asamblisti Artan Berisha reagoi duke e pyetur “kush nuk ka fytyrë”, ndërsa Asllani iu drejtua atij me fjalët “hajde jashtë”.

Më pas, asamblisti i PDK-së doli nga salla, ndërsa në korridorin e Kuvendit Komunal pati përplasje fizike mes asamblistit Artan Berisha dhe Mon Nezirit, shoferit të kryetarit të Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, raporton KosovaPress.

Si pasojë e tensioneve, seanca e Kuvendit Komunal, e cila ishte thirrur të mbahej në mbledhje të rregullt, është ndërprerë. Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Safet Kamberi, ka thënë se nuk e shohin të arsyeshëm vazhdimin e seancës.

“Besoj që situata e sotit ka qenë një situatë që është e vërteta një situatë e papranueshme, besoj që më së paku iu kish dashtë dhe i duhet si panoramë vendit, veçanërisht qytetarëve të cilët janë të zgjedhur për t’i përfaqësuar ata dhe ne të krijojmë një situatë të tillë, unë besoj që është e papranueshme”, ka thënë ai. “Besoj që edhe në seancat e tjera do të bëjmë thirrje edhe te anëtarët e Kuvendit, mirëpo edhe te ekzekutivi që të jemi të kujdesshëm, të jemi të matur, të ofrojmë argumentin mbi të them kështu, përplasjet, por asnjëherë këto përplasjet ose tendencat për përplasje fizike. Prandaj besoj që edhe me përvojën e juaj por edhe timen ka qenë një përvojë e hidhur, një shije e keqe, me shpresën që ky do të jetë një mësim edhe për anëtarët e Kuvendit por edhe për ekzekutivin që situata të tilla të mos shohim asnjëherë në institucionin në të cilin jemi zgjidhur”.

Edhe Përplasje në Kuvendin e Mitrovicës së Veriut, asamblistët shqiptarë ankohen se po u ndërpritet fjala Arbëri Përplasje në Kuvendin e Mitrovicës së Veriut, asamblistët shqiptarë ankohen se po u ndërpritet fjala

E, pas ngjarjes, asambleisti Berisha dha versionin e tij për ngjarjen.

“Sot gjatë një debati me drejtorin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, i cili na ofendoi dhe na tha ‘të pafytyrë’, në aspektin njerëzor normal që reagova, e lëshova sallën. Gjatë lëshimit të sallës, sigurimi i Faton Pecit ndërhyri dhe realisht më sulmoi. Më pas, ju e keni xhirimin dhe e keni pa se çfarë ka ndodh tutje dhe mendoj se kjo gjuhë nuk na duhet as atyre, as neve”, ka thënë ai.

Ndërkaq, shefi i grupit të asamblistëve të PDK-së, Shkëlqim Ibrahimi, ka akuzuar ekzekutivin lokal për gjuhë të papranueshme që, sipas tij, vazhdimisht përdor.

“Ne si grup parlamentar i Partisë Demokratike në Kuvendin Komunal të Mitrovicës sot kemi vendosur me lëshua seancën, në shenjë revolte të gjuhës jo parlamentare, jo zyrtare, të cilën e kemi paralajmëruar edhe seancën e kaluar. Kjo ka qenë arsyeja pse kemi lëshu seancën, ku në vazhdimësi qoftë prej kryetarit, qoftë prej drejtorëve të caktuar, jo të gjithëve, përdoren terma fyes dhe jo zyrtarë, saqë sot kulminacion ke që patë edhe konfrontim verbal”, ka thënë ai. 

Ibrahimi paralajmëroi se rastin do ta paraqesin në polici.

“Ne do të procedojmë tutje në polici për të denoncuar rastin që një asambleist, që realisht kuvendi është shtëpia e tij dhe është votuar për atë, është sulmuar nga një shofer i kryetarit Faton Peci. Reagimet tona kanë qenë pasi që drejtori i Kulturës, Rinisë, Sportit na ka quajt ‘hajna’ dhe ‘të pafytyrë’ dhe gjoja që ka prezantu dokumentacion faktik që ka prej të së kaluarës. Ne kemi bërë thirrje që gjithmonë çdo gjë që të kenë fakte le të dorëzohen në prokurori, dhe normal që edhe ne jemi njerëz dhe reagojmë kur ne domethënë tentojmë gjithmonë të veprojmë dhe të kontribuojmë për komunitetin dhe të quhemi pa asnjë fakt ‘hajna’ dhe të ‘pafytyrë’”, ka thënë Ibrahimi.

Edhe Tensione në Kuvendin Komunal të Gjilanit, shtyrje mes drejtorit të VV-së dhe asamblistit të PDK-së Arbëri Tensione në Kuvendin Komunal të Gjilanit, shtyrje mes drejtorit të VV-së dhe asamblistit të PDK-së

Ndërkohë kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, ka thënë se janë gënjeshtra pretendimet për rrahje në Kuvendin Komunal. 

“Njoftojmë qytetarët e Mitrovicës se pretendimet për gjoja rrahje në Kuvendin Komunal të Mitrovicës janë plotësisht të pavërteta, për çka ekzistojnë dëshmi me video-incizime. Konflikti verbal fillimisht u nxit nga dy asambleistet e PDK-së, në drejtim të drejtorit për Kulturë, Rini dhe Sport, Gazmend Asllani.  Reagimi erdhi pasi drejtori Asllani rikujtoi keqpërdorimet e bëra gjatë qeverisjes së kaluar, për çka edhe ishte arrestuar ish-drejtori i PDK-së.  NE NUK NDALEMI… QEVERISJA JONË NUK SHANTAZHOHET, AS ME KËRCËNIME ME GRUSHTA E AS ME NDONJË KËRCËNIM TJETËR”, ka shkruar Peci në Facebook.