Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet sot në një seancë plenare ku në fokus do të jetë miratimi i projektbuxhetit të vitit 2027 dhe paketës fiskale që e shoqëron atë. Në rendin e ditës janë përfshirë gjithashtu dy akte normative që lidhen me tubimet dhe shpërblimin e dëmeve të shkaktuara gjatë protestave.
Seanca plenare do të nisë në orën 10:00, ndërsa në rendin e ditës janë përcaktuar 11 pika.
Pas diskutimeve të zhvilluara në Kuvend për projektbuxhetin e vitit 2027, deputetët pritet të votojnë dokumentin më të rëndësishëm financiar të shtetit për vitin e ardhshëm, si dhe një sërë ndryshimesh ligjore që prekin sistemin tatimor.
Bëhet fjalë për ndryshimet në ligjet për tatimin mbi të ardhurat, tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH), procedurat tatimore, taksat kombëtare dhe akcizat.
Një tjetër pikë e rëndësishme e seancës së nesërme është shqyrtimi i dy akteve normative të miratuara nga qeveria më 28 tetor 2026, që lidhen drejtpërdrejt me tubimet.
Kuvendi do të shqyrtojë aktin normativ nr. 5, që parashikon disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për tubimet”, si dhe aktin normativ nr. 6, “Për shpërblimin e dëmit civil të shkaktuar ndaj subjekteve të prekura nga aktet e dhunshme gjatë tubimeve dhe rregullimin e pasojave”.
Shqyrtimi i këtyre dy akteve vjen vetëm dy ditë përpara protestës mbarëkombëtare të paralajmëruar për 28 nëntor, ndërkohë që protestat e përditshme kundër qeverisë Rama në kryeqytet kanë hyrë në ditën e tyre të 179-të.
Në rendin e ditës është përfshirë gjithashtu projektligji për pranimin e ndryshimeve të përshtatura më 30 maj 2025 të Memorandumit të Mirëkuptimit të Parisit për kontrollin shtetëror portual.
Rendi i plotë i ditës së seancës plenare:
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 18.11.2026.
2. Njoftime.
3. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 29/2023, ‘Për tatimin mbi të ardhurat’, të ndryshuar”.
4. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 92/2014, ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”.
5. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, ‘Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”.
6. Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, ‘Për taksat kombëtare’, të ndryshuar”.
7. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 61/2012, ‘Për akcizat në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”.
8. Projektligji “Për buxhetin e vitit 2027”.
9. Projektligji “Për pranimin e ndryshimeve të përshtatura më 30 maj 2025 të Memorandumit të Mirëkuptimit të Parisit për kontrollin shtetëror portual, bërë në Paris, më 26.1.1982, aderuar me ligjin nr. 9852, datë 26.12.2007”.
10. Akti normativ nr. 5, datë 28.10.2026, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8773, datë 23.4.2001, ‘Për tubimet’”.
11. Akti normativ nr. 6, datë 28.10.2026, “Për shpërblimin e dëmit civil të shkaktuar ndaj subjekteve të prekura nga aktet e dhunshme gjatë tubimeve dhe rregullimin e pasojave”.
