Policia e Kosovës ka filluar një fushatë ndërgjegjësimi kundër dhunës me bazë gjinore, duke i nxitur qytetarët të mos qëndrojnë të heshtur para këtij fenomeni.
Kjo nismë zhvillohet në kuadër të fushatës ndërkombëtare “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore” dhe do të vijojë deri më 10 dhjetor, kur shënohet Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut.
Të lidhura
None found
Për këtë edicion, Policia ka përqafuar moton “Dhuna në familje nuk është një çështje private”, duke nënvizuar se një akt i tillë cenon rëndë të drejtat themelore të njeriut dhe është i ndëshkueshëm sipas legjislacionit në fuqi.
Gjatë periudhës 16-ditore, zyrtarët policorë në të gjitha drejtoritë rajonale do të organizojnë veprimtari parandaluese dhe ndërgjegjësuese, të cilat përfshijnë shpërndarjen e fletëpalosjeve informative, takime me banorët e zonave të ndryshme dhe bashkëpunim me institucionet shtetërore e organizatat e shoqërisë civile.
Policia ka ripërsëritur angazhimin e saj për të parandaluar, hetuar dhe trajtuar me përparësi çdo rast dhune, duke u garantuar viktimave mbrojtje, siguri dhe një trajtim dinjitoz.
Në njoftimin zyrtar theksohet thirrja: “Dhuna në familje nuk është një çështje private – mos hesht, raporto!”
Çdo qytetar mund të denoncojë një rast apo edhe një dyshim për dhunë duke telefonuar numrin emergjent 192, përmes linjës anonime dhe konfidenciale 0800 19999, ose duke përdorur aplikacionin digjital “Lajmëro Policinë”.







