Shtetet e Bashkuara kanë miratuar shitjen e pjesëve rezervë dhe pajisjeve për mirëmbajtjen e avionëve F-16 që përdoren nga Forcat Ajrore të Ukrainës. Marrëveshja kap vlerën mbi 600 milionë dollarë, ndërsa financimi do të sigurohet tërësisht nga vende europiane — Belgjika, Danimarka, Holanda dhe Norvegjia — sipas njoftimit të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili thekson se në këtë transaksion nuk do të përdoren fonde nga buxheti i SHBA-së.
Qeveria ukrainase ka kërkuar blerjen e një pakete pajisjesh dhe pjesësh rezervë për mirëmbajtjen dhe mbajtjen në gatishmëri të F-16, të cilët përbëjnë një pjesë të rëndësishme të mbrojtjes ajrore kundër sulmeve ruse. Nevoja për këto pajisje vjen pas raportimeve për vështirësi në mirëmbajtjen e avionëve. Në fillim të tetorit gazeta The Wall Street Journal raportoi se shumica e F-16 të Ukrainës ndodheshin jashtë shërbimit, në pritje të inspektimeve dhe riparimeve nga teknikët.
Kievi hodhi poshtë raportin, duke deklaruar se avionët vazhdonin të përdoren intensivisht në operacionet ushtarake, por një zëdhënës i autoriteteve ukrainase pranoi se mirëmbajtja paraqet një sfidë të konsiderueshme. Ai bëri të ditur se bëhet fjalë për modele më të vjetra, për të cilat disa pjesë këmbimi nuk prodhohen më, çka e vështirëson sigurimin e tyre.
Ukraina ka marrë një numër të kufizuar F-16 nga aleatët perëndimorë që nga viti 2024 dhe sipas njoftimeve zyrtare ka humbur të paktën katër avionë gjatë luftës. Janë raportuar gjithashtu vështirësi në procesin e trajnimit të pilotëve. Administrata e presidentit Donald Trump, megjithëse kishte reduktuar ndjeshëm ndihmën ushtarake të drejtpërdrejtë për Ukrainën, kishte miratuar në maj 2025 një shitje të ngjashme pajisjesh për mirëmbajtjen e flotës së F-16 ukrainas.
Marrëveshja e re synon të ndihmojë Kievin të ruajë funksionalitetin e avionëve luftarakë, në një kohë kur mbrojtja ajrore mbetet një nga sfidat kryesore të Ukrainës në luftën me Rusinë.
