Moti i keq ka përfshirë të dy brigjet e Shteteve të Bashkuara, duke shkaktuar probleme të shumta në transport dhe duke vështirësuar udhëtimet për miliona amerikanë që po përgatiten të festojnë Ditën e Falënderimeve.
Pasojat janë ndjerë veçanërisht në trafikun ajror. Vetëm të mërkurën janë regjistruar më shumë se 6 mijë vonesa në fluturime dhe afro 150 të anuluara.
Ndërkohë, reshjet e dendura dhe erërat e forta kanë detyruar organizatorët të shtyjnë për herë të parë në historinë e saj paradën tradicionale të Ditës së Falënderimeve të Macy’s, e cila këtë vit shënonte edicionin e 100-të.
Situata paraqitet shqetësuese përgjatë brigjeve, ku dallgët e fuqishme dhe baticat e larta kanë shkaktuar përmbytje dhe dëme materiale. Në disa zona, dallgët kanë shembur pjesë të infrastrukturës bregdetare, ndërsa niveli i ujit ka arritur rekorde të reja.
Parashikimet për Ditën e Falënderimeve paralajmërojnë përkeqësim të mëtejshëm të situatës, me nivele uji që mund të jenë më të lartat që prej uraganit Sandy në vitin 2012. Erërat e forta rrisin gjithashtu rrezikun e ndërprerjeve të energjisë elektrike në zonat e prekura.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes, ndërsa moti i paqëndrueshëm pritet të vijojë të ndikojë në udhëtime dhe aktivitetet festive.










