Qiraja mediane e apartamenteve në Tiranë arriti në 660 euro në muaj gjatë nëntorit 2026. Sipas të dhënave të platformës Pragu.al, të përllogaritura mbi rreth 3 mijë njoftime në 56 zona të kryeqytetit, gjysma e apartamenteve reklamohen me çmime më të ulëta dhe gjysma me çmime më të larta se kjo vlerë.
Mediana është çmimi që ndodhet në mes të njoftimeve, pasi ato renditen nga më i ulëti te më i larti. Ndryshe nga mesatarja aritmetike, ajo ndikohet më pak nga çmimet shumë të larta ose shumë të ulëta. Për shembull, për pesë apartamente me qira 400, 500, 550, 600 dhe 3,000 euro, mediana është 550 euro, ndërsa mesatarja aritmetike arrin në 1,010 euro.
Zonat me qiratë më të larta dhe më të ulëta
Sipas Pragu.al, qiratë mediane më të larta regjistrohen në Mine Peza, me 870 euro në muaj, Rrugën e Barrikadave, me 850 euro, Ish-Ekspozitën, me 820 euro, dhe Kopshtin Botanik, me 800 euro.
Në Liqenin Artificial mediana është 790 euro, në Bllok dhe Rrugën e Kavajës 770 euro, ndërsa në Kopshtin Zoologjik dhe Farkë 750 euro. Në Sheshin Wilson, qiraja mediane arrin në 730 euro.
Në Qendër, Komunën e Parisit, Rrugën e Durrësit dhe Kodrën e Diellit, qiratë mediane janë rreth 720 euro në muaj. Në Bulevardin e Ri dhe në Selvi, ato regjistrohen në rreth 700 euro.
Qiratë më të ulëta janë në Shkozë, me medianë 440 euro në muaj, në Kodrën e Priftit, me 500 euro, dhe në Yzberisht, me 520 euro. Në Astir, 5 Maji, Ali Demi, Fresk, Kinostudio dhe Qytetin Studenti, mediana është rreth 550 euro.
Rritja e qirave gjatë vitit 2026
Të dhënat e publikuara më herët nga Monitor, bazuar në shifrat e agjencisë imobiliare Century 21, tregojnë se qiraja mesatare mujore për apartamentet 1+1 në Tiranë arriti në 590 euro gjatë periudhës janar-qershor 2026, me rritje 4.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Për apartamentet 2+1, qiraja mesatare u rrit nga 755 në 954 euro në muaj, ose 26.3%.
Për apartamentet 1+1, rritja më e lartë u regjistrua pranë stadiumit “Air Albania”, ku qiraja mesatare arriti në 800 euro, 45% më shumë se një vit më parë. Në Ish-Bllok çmimi arriti në 700 euro, me rritje rreth 8%. Rritje u shënuan edhe në Zogun e Zi, me 29%, dhe në Rrugën e Elbasanit, me 18%.
Në zonat periferike, qiraja mesatare për apartamentet 1+1 në Astir arriti në 550 euro, 16% më shumë se në janar-qershor 2025. Në Zogun e Zi u rrit me 29%, në 620 euro. Në Don Bosko, Kinostudio dhe Kombinat, rritjet ishin më të moderuara, nga 2% në 3%.
Megjithatë, në disa zona qiratë ranë. Ulja më e madhe u regjistrua pranë Stadiumit Dinamo, ku çmimi mesatar zbriti me 23%, nga 740 në 570 euro. Rënie pati edhe në Liqenin Artificial, me 15%, dhe në Komunën e Parisit, me 6%.
Për apartamentet 2+1, qiratë mesatare më të larta gjatë gjashtëmujorit të parë u regjistruan pranë stadiumeve “Air Albania” dhe Dinamo, ku arritën në 1,500 euro në muaj. Krahasuar me një vit më parë, rritja ishte përkatësisht 46.3% dhe 52.6%.
Në Myslym Shyri, qiraja mesatare për apartamentet 2+1 arriti në 1,400 euro, 86.7% më shumë se një vit më parë. Në Ish-Bllok, çmimi u rrit lehtë, nga 1,099 në 1,100 euro.
Në periferi, qiraja mesatare për apartamentet 2+1 arriti në 665 euro në Astir, me rritje 16.7%, dhe në 450 euro në Fresk, me rritje 28.6%. Në Zogun e Zi, çmimi u ngjit në 900 euro, 12.5% më shumë se një vit më parë.
Pavarësisht rritjeve, zonat periferike vijojnë të ofrojnë alternativa më të përballueshme se zonat elitare dhe ato pranë qendrës së Tiranës. /Monitor












