Andy Taylor, kitaristi i njohur i grupit britanik Duran Duran, është ndarë nga jeta në moshën 65-vjeçare, pas një beteje të gjatë me kancerin e prostatës.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë anëtarët e grupit, të cilët përmes një deklarate prekëse kanë konfirmuar se muzikanti ndërroi jetë paqësisht në shtëpinë e tij, të hënën, më 23 nëntor, i rrethuar nga familjarët.

“Andy ishte aty që në fillim të historisë sonë. Që nga momenti kur mbërriti në Birmingham nga verilindja e Anglisë, me një kitarë dhe besimin e palëkundur në atë që mund të bëheshim, ai i dha muzikës sonë një energji dhe karakter të veçantë”, thuhet në deklaratën e Simon Le Bon, Nick Rhodes, John Taylor dhe Roger Taylor.

I lindur në Tynemouth, Andy Taylor ishte një prej figurave kyçe të suksesit ndërkombëtar të Duran Duran, duke kontribuar në krijimin e disa prej hiteve më të mëdha të grupit, mes tyre “Save A Prayer”, “Rio” dhe “Girls On Film”.

Ai iu bashkua grupit në vitin 1980, pas një audicioni në Birmingham, dhe u bë pjesë e një prej fenomeneve më të mëdha muzikore të viteve ’80. Stili i tij karakteristik në kitarë, me riffe të fuqishme dhe tinguj të dallueshëm, ndihmoi në përcaktimin e identitetit muzikor të grupit.

Përveç Duran Duran, Taylor bashkëpunoi edhe me emra të mëdhenj të muzikës ndërkombëtare, si Robert Palmer, Rod Steëart dhe Belinda Carlisle. Gjatë një periudhe pushimi të grupit në vitin 1984, ai krijoi së bashku me John Taylor projektin muzikor Pouer Station, ku u përfshi edhe Robert Palmer.

Këngëtari Sir Rod Steuart e kujtoi me emocione mikun dhe bashkëpunëtorin e tij, me të cilin kishte shkruar pesë këngë për albumin “Out of Order”, të vitit 1988.

“I dashur miku im. Kemi bërë muzikë të bukur së bashku dhe, në të njëjtën kohë, kemi kaluar momente të jashtëzakonshme”, shkroi Steuart në Instagram.

Bashkëshortja e tij, Tracey, e përshkroi Andy Taylor si “shtyllën e familjes”, duke shtuar se do ta kujtojnë dhe do t’i mungojë çdo ditë.

Ai la pas bashkëshorten, katër fëmijët dhe një nip. Largimi i Andy Taylor shënon humbjen e një prej kitaristëve që ndihmuan në formësimin e tingullit të muzikës pop-rock të viteve ’80.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb