Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet pronari i televizionit serb Informer, Vuçiçeviç



Pronari i televizionit serb Informer, Dragan J. Vuçiçeviç, është arrestuar të mërkurën nën dyshimin për “shkaktim paniku dhe çrregullimi”, si dhe pengim të drejtësisë.

Sipas Nova.rs, arrestimi u krye me urdhër të Prokurorisë së Dytë Themelore në Beograd. Vuçiçeviç do të qëndrojë në paraburgim policor deri në 48 orë.

Arrestimin e konfirmoi edhe vetë presidenti Aleksandar Vuçiç në parlament, duke deklaruar: “Ai u arrestua vetëm për shkak të punës së tij si gazetar”.

Sipas medias N1, Vuçiçeviç pritet të paraqitet të enjten para prokurorit për t’u marrë në pyetje.

Pas konfirmimit të arrestimit, deputetët e Listës së Studentëve, e cila fitoi zgjedhjet e fundit në Serbi, duartrokitën në parlament. Ndërkohë, deputetët e Partisë Progresive Serbe (SNS), tashmë në opozitë, u larguan nga seanca dhe shkuan drejt komisariatit ku mbahej Vuçiçeviç, raporton Balkan Insight.

Sipas N1, mes tyre ishin deputetët Ana Brnabiç dhe Millosh Vuçeviç, si dhe ish-sekretarja e Shtetit në Ministrinë e Brendshme, Dijana Hrkaloviç.

Vuçiçeviç është vënë në qendër të vëmendjes publike pasi Këshilli i Autoritetit Rregullator për Mediat Elektronike në Serbi (REM) nisi dy hetime ndaj televizionit Informer.

Më 16 nëntor, REM vendosi dy ndalime transmetimi për Informer, përkatësisht 15 dhe 10 ditë, si dhe një ndalim shtatëditor të reklamave në fashën orare 18:00-21:00.

Në kohën e publikimit të raportimit, BIRN deklaroi se nuk kishte informacione të tjera mbi rrethanat e arrestimit. Media iu drejtua Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë së Dytë Themelore për më shumë detaje, por asnjëra prej tyre nuk iu përgjigj kërkesës.