Një marinar ka humbur jetën pasi një anije mallrash, që transportonte rreth 7 mijë tonë naftë, u mbyt në orët e para të së enjtes në ujërat në veri të ishullit Ibiza, në Spanjë.
Në bord ndodheshin 17 pjesëtarë të ekuipazhit. 16 prej tyre arritën të shpëtoheshin, ndërsa një marinar u dërgua në spitalin Can Misses, ku më vonë ndërroi jetë.
Anija, e identifikuar me emrin “Med Emre”, u mbyt rreth 25 deri në 30 milje detare në veri të Ibizës. Sipas autoriteteve, sinjalizimi për incidentin mbërriti rreth orës 01:20, pasi në anije ishte konstatuar një çarje që përfundimisht shkaktoi fundosjen e saj.
Në operacionin e shpëtimit u angazhuan shërbimet detare dhe ajrore të emergjencës së Spanjës, me mbështetjen edhe të disa anijeve që ndodheshin në zonë.
Pas fundosjes, autoritetet aktivizuan planet e emergjencës për shkak të rrezikut të ndotjes së detit nga karburanti që transportonte anija.
Qeveria e Ishujve Balearikë aktivizoi Planin Territorial të Mbrojtjes Civile, ndërsa u vu në zbatim edhe Plani Kombëtar për Ndotjen Detare në nivelin 2.
Shqetësimi kryesor mbetet mundësia e rrjedhjes së naftës në det dhe pasojat që kjo mund të ketë për mjedisin detar. Autoritetet po monitorojnë situatën dhe po vlerësojnë përmasat e mundshme të ndotjes, ndërsa ende nuk dihet nëse do të nevojiten masa të tjera emergjente.
