
Trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique, ka vlerësuar paraqitjen e Romës pas barazimit 2-2 mes dy skuadrave në UEFA Champions League, duke pranuar se ekipi italian i shkaktoi vështirësi të mëdha skuadrës së tij gjatë gjithë takimit.
Në prononcimin pas ndeshjes, tekniku spanjoll nuk i fshehu vështirësitë e PSG-së, duke e cilësuar këtë përballje si më të vështirën e sezonit.
“Pa dyshim, ishte ndeshja më e vështirë e sezonit. Mund edhe ta kishim humbur këtë mbrëmje, por në fund arritëm të merrnim një barazim. Jemi të kënaqur. Lojtarët kërkojnë të përmirësohen vazhdimisht dhe unë jam i kënaqur me paraqitjen e secilit prej tyre”, deklaroi Luis Enrique.
Ai foli gjithashtu për përballjen e parë me trajnerin e Romës, Gian Piero Gasperini, duke shprehur vlerësimin për punën që italiani po bën në drejtimin e skuadrës kryeqytetase.
“Besoj se kjo është hera e parë që përballem me Gasperinin”, u shpreh trajneri i PSG-së.
Megjithatë, deklarata më domethënëse e Luis Enriques ishte vlerësimi i lartë për forcën e Romës dhe paraqitjet e saj ndaj kundërshtarëve të mëdhenj.
“Roma e meritonte të fitonte kundër Real Madridit dhe Manchester Unitedit, e ndoshta edhe sot”, theksoi spanjolli.