
“Sqarim publik!
Unë nuk kam pranuar të kandidoj për Këshillin Bashkiak as më 2023, kur sapo ishim formuar si parti. Kështu që edhe më 9 maj do të jem kandidat i Lëvizjes BASHKË vetëm për kryetar bashkie i Tiranës.
Kërkesa për sqarim që i kam drejtuar KQZ -së, dhe që është shndërruar sot në një episodth telenovele mediatike, është shkruar nga unë si kryetar dhe përfaqësuesi i vetëm ligjor (me fuqi firme) i Lëvizjes BASHKË. Dhe afërmendsh nuk lidhet fare me Tiranën dhe as me statusin tim si kandidat. Është një çështje që do ta çojmë përpara me kërkesën e bazave të Lëvizjes BASHKË në disa bashki të vogla, të cilat duan të dinë nëse një qytetar mund të kandidojë njëkohësisht për kryetar bashkie dhe anëtar i Këshillit Bashkiak. Uroj që KQZ të jetë po aq e shpejtë në kthimin e përgjigjes, sa ç’ishte në “dekonspirimin” e letrës.
Ju kërkoj ndjesë që ju mora kohë me këtë sqarim, krejt të parëndësishëm në kontekstin social dhe politik në të cilin gjendet Shqipëria, por të nevojshëm thjesht për të mos ushqyer më mediatikisht një pseudoçështje.
Përparësi e çdo shqiptari të ndershëm mbetet protesta e madhe e 28-29 Nëntorit.
Të gjithë bashkë kundër të keqes!” shprehet Arlind Qori në një reagim në rrjetet sociale.