Libri i Ben Blushit “Historitë e çmendura të Tiranës” ka ngjallur mjaft interes dhe ka nxitur një debat publik ku janë përfshirë shkrimtarë, historianë, studiues gazetarë, e politikane. Reagimet kanë qenë të ndara mes vlerësimeve për stilin e veçantë të autorit dhe kritikave për mënyrën se si ai trajton të kaluarën historike të kryeqytetit. Pikërisht mënyra e rrëfimit është bërë edhe shkaku i diskutimeve.
Në këtë debat ka hyrë edhe kreu i opozitës Sali Berisha. Gjate promovimit te librit te Alfred Lelës ne Tirane, Berisha kritikoi mënyrën se si Ben Blushi i ka sjelle historitë e Tiranes, duke i cilësuar rrëfimet e autorit si përralla qe deformojnë historinë.
Një tjetër reagim kritik ka ardhur nga historiani Marenglen Kasmi, në shkrimin e tij me titull “Blushi, boll të ngatërruar e kemi historinë, mos na e çmend tani!”. Sipas tij, kur letërsia merr përsipër të rrëfejë historinë, duhet të bëhet dallimi i qartë mes faktit të dokumentuar dhe interpretimit artistik.
Nga ana tjetër në promovimin e librit, botuesi Bujar Hudhri e ka vlerësuar veprën duke thënë se Beni nuk bën historinë e Tiranës. Romani i tij është një roman për historinë e Tiranës.
Ndersa Ahmet Prençi e sheh veprën si një rrëfim që shkon përtej historisë tradicionale. Ai e krahason përvojën e leximit me ndjekjen e një seriali historik, ku çdo kapitull sjell një episod të veçantë. Sipas tij, forca e librit qëndron edhe te mënyra e rrëfimit, gjuha dhe aftësia për ta bërë historinë tërheqëse për lexuesin.
Lexuesit kanë treguar shumë interes për librin dhe i japin atij një meritë tjetër. Me “Historitë e çmendura të Tiranës” Ben Blushi iu jep lexuesve më shumë sesa një libër për Tiranën. Ofron një mënyrë të re për ta lexuar qytetin dhe për të kuptuar se identiteti i tij është ndërtuar nga një varg historish të jashtëzakonshme njerëzore me ambiciet, pasionet, gabimet dhe vendimet e tyre dhe jo vetëm nga arkitektura dhe monumentet.
Debati rreth librit të Ben Blushit nuk është thjesht një debat për një botim të ri. Ai prek një çështje më të gjerë -mënyrën se si shkruhet, interpretohet dhe përcillet historia te publiku.
