
Një anije që transportonte rreth 7 mijë tonë naftë është mbytur në orët e para të mëngjesit të së enjtes, në brigjet e ishullit të Ibizës në Spanjë. Si pasojë, një nga 17 anëtarët e ekuipazhit ka humbur jetën, ndërsa 16 të tjerët kanë mbijetuar, përcjell Euronews.
Anija, e identifikuar si “Med Emre”, u fundos rreth 25-30 milje detare në veri të Ibizës. Sipas autoriteteve të Ishujve Balearikë, sinjalizimi për emergjencën mbërriti rreth orës 01:20 nga kapiteneria e portit të Ibizës. Drejtori i Përgjithshëm për Emergjencat dhe Punët e Brendshme në qeverinë rajonale, Pablo Gárriz, tha se anija kishte pësuar një çarje në trupin e saj, e cila përfundimisht shkaktoi fundosjen.
Në operacionin e shpëtimit u angazhuan shërbimet detare spanjolle, me mjete lundruese dhe ajrore, si dhe disa anije që ndodheshin në zonë. Nga 17 anëtarët e ekuipazhit të shpëtuar, gjashtë u dërguan në aeroportin e Ibizës, ndërsa një tjetër u transportua në spitalin Can Misses, ku më vonë u konstatua vdekja e tij.
Rreziku i ndotjes nga karburanti
Pas fundosjes, autoritetet kanë aktivizuar protokollet e emergjencës për shkak të rrezikut të derdhjes së karburantit në det. Sasia e madhe e naftës që transportonte anija ka ngritur shqetësime për pasojat e mundshme mjedisore.
Është aktivizuar në nivelin e dytë Plani Kombëtar për Ndotjen Detare, ndërsa qeveria e Ishujve Balearikë ka vënë në zbatim planin territorial të mbrojtjes civile në nivelin zero.
Autoritetet po monitorojnë situatën dhe po vlerësojnë ndikimin e mundshëm në mjedis. Sipas Gárriz, ende nuk dihet shkalla e plotë e pasojave dhe do të priten rezultatet e vlerësimeve për të përcaktuar nëse nevojiten masa të tjera.