Një anije që transportonte deri në 7 mijë tonë naftë u fundos të enjten në det të hapur pranë Ibizës, në arkipelagun spanjoll të Ishujve Balearikë. Një anëtar i ekuipazhit humbi jetën, njoftuan shërbimet lokale të shpëtimit.

Anija u fundos rreth 46 kilometra në verilindje të ishullit. Ajo kishte në bord 17 anëtarë të ekuipazhit dhe po udhëtonte drejt Barcelonës. Autoritetet po kryejnë verifikime për të vlerësuar dëmet e mundshme në mjedis.

Anija cisternë për transportin e produkteve kimike “Med Emre”, që lundronte me flamur maltez, ishte nisur nga Algecirasi drejt Barcelonës dhe dyshohet se transportonte deri në 7 mijë tonë naftë, bëri të ditur në një njoftim Ministria e Brendshme e Ishujve Balearikë.

Sipas shërbimeve të emergjencës, ekipet e shpëtimit nxorën të 17 anëtarët e ekuipazhit, por njëri prej tyre ndërroi jetë pasi u dërgua në spitalin “Can Misses” të Ibizës. Gjashtë të tjerë u dërguan fillimisht në aeroportin e Ibizës dhe më pas në dy spitale. Ata kishin probleme të lehta shëndetësore, kryesisht për shkak të hipotermisë. Nga anëtarët e tjerë të ekuipazhit, pesë u transportuan në Valencia, ndërsa pesë të tjerë, në gjendje të mirë shëndetësore, qëndruan në bordin e një anijeje shpëtimi, shtuan autoritetet.

Drejtori i Përgjithshëm për Emergjencat dhe Punët e Brendshme në Ishujt Balearikë, Pablo Garriz, tha se alarmi u dha rreth orës 01:20 të mëngjesit, pasi uji nisi të hynte në anije përmes një çarjeje në trupin e saj. Anija u anua deri në 90 gradë në sipërfaqen e detit.

Për shkak të rrezikut që ngarkesa e naftës të derdhej në det, autoriteti spanjoll i marinës tregtare aktivizoi planin kombëtar të emergjencës kundër ndotjes detare në nivelin 2, i dyti më i lartë. Në ujërat në verilindje të Ibizës jetojnë breshka detare, delfinë dhe shpendi detar i njohur si “berta e Balearëve”, një nga llojet më të kërcënuara të shpendëve detarë në Evropë. Në këtë zonë shtrihen edhe livadhe të gjera nënujore të Posidonia oceanica, një bimë me rëndësi për ruajtjen e biodiversitetit detar.

Sipas raportimeve, anija e specializuar e shërbimit të shpëtimit detar, “Clara Campoamor”, nuk ka konstatuar shenja të derdhjes së naftës në zonën ku u fundos cisterna, ndërsa një avion vijon të vëzhgojë zonën nga ajri.