Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka denoncuar atë që e cilëson si refuzim të shtëpive botuese për të publikuar librin e Alfred Lelës mbi çështjen McGonigal. Gjatë deklaratës së tij, Berisha akuzoi botuesit dhe mediat se po shmangin trajtimin e këtij libri, ndërsa, sipas tij, i japin hapësirë veprave të tjera që i cilësoi si deformim të historisë së Tiranës.
Berisha u ndal fillimisht te ish-zyrtari amerikan Charles McGonigal, duke e cilësuar atë si një person të korruptuar, që sipas tij kishte marrë detyra nga kryeministri Edi Rama gjatë kohës që ishte në detyrë. Ai kujtoi se McGonigal u dënua nga drejtësia amerikane dhe ndodhet në burg.
Kreu i PD-së përmendi gjithashtu rastin e ish-ambasadores amerikane, të cilën e akuzoi se kishte hartuar raporte sipas udhëzimeve të Ramës dhe se, pasi ishte vënë nën hetim, kishte ndikuar në përfshirjen e eprorit të saj në këtë çështje. Berisha e cilësoi si shqetësues refuzimin e shtëpive botuese për librin e Alfred Lelës. Ai tregoi se autori i ishte drejtuar në zyrë për t’i kërkuar këshillë, pasi nuk po gjente një botues të gatshëm për ta publikuar veprën. Në vijim, ai krahasoi vëmendjen mediatike që, sipas tij, marrin libra të tjerë me mungesën e interesit për veprën e Lelës.
“Pra, ky njeri i korruptuar, i papërgjegjshëm, që mori detyra nga Edi Rama kur ishte në detyrë, që nuk mund t’i merrte kurrë, u dënua nga ligji amerikan dhe drejtësia amerikane dhe sot është në burg. Por më duhet të them se ky është i vetmi nga McGonigalët që ndodhet në burg.
Madje ka ndodhur, është e hidhur shumë, kur një ambasadore e korruptuar që shkruante raportet siç i thoshte Edi Rama, u vu nën hetim, arriti të korruptojë edhe shefin.
Fatmirësisht ai u dënua me burg, por kjo mbeti e lirë.
Tragjike është tjetra.
Refuzimi, tërheqja e shtëpive botuese për të publikuar librin e Alfred Lelës.
Larva, larva njerëzore janë këta.
Këta janë skllevër të një regjimi të transfiguruar njëlloj si në diktaturën komuniste.
Dhe një ditë, po ua rrëfej këtu, më vjen në zyrë e më thotë, si t’ia bëj, nuk ma publikon njeri.
Ta publikosh vetë, i thashë. Ti ke një shtëpi botuese.
Po çfarë do të thotë kjo?
Ti e di shumë mirë, i thashë, libri do publikohet.
Dhe dëgjoni tani, dy libra për McGonigalin, dëgjoni për herë të parë, përrallat e Blushit për Tiranën çajnë të gjitha ekranet, të cilat janë absolutisht një deformim vulgar i historisë së këtij qyteti.
Por ato nuk kanë çmim.
Kjo ka një çmim, ndaj dhe nuk duhet publikuar, ndaj dhe nuk duhet përmendur, ndaj dhe studiot e injorojnë, ndaj dhe asnjë lajm nuk e japin.”, tha Berisha.
