GJKKO shpall vendimin/ Dënohet nëna e Kryemadhit, i pafajshëm Xhixho, ish-deputetes i hiqet sekuestro e vilës

26/11/2026 10:10

GJKKO ka dhënë sot vendimin për mamanë e Monika Kryemadhit.

Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha bën me dije se, nëna e Monika Kryemadhit, Fatime Kreymadhi është dënuar me 7.6 vite burg, në gjykim të shkurtuar zbret në 5 vite dhe në përfundim 2 vjet shërbim prove.

Për Ema Çokun gjykatat ka vendosur Heqjen e masës së detyrimit me paraqitje dhe e ka dënuar atë me me 2.8 vite shërbim prove. Çoku nuk dënohet për akuzën e ngritur nga SPAK për ‘pastrim parash’, por për akuzën e ‘veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës’.

Ndërkohë babai i deputetes, Erisa Xhixho, Pirro Xhixho është shpallur i pafajshëm. Sakaq GJKKO nuk ka pranuar kërkesën e SPAK për sekuestrimin e vilës së Monika Kryemadhit.

Vendimi i plotë i GJKKO:

1. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Piro Xhixho për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore dhe të zgjedhurve vendorë” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 dhe 25 i Kodit Penal, pasi nuk provohet që e ka kryer këtë vepër penale, sipas parashikimit të nenit 388, pika 1, gërma “d” të K.Pr.Penale.
• Gjykata bazë të nenit 389 të K.Pr.Penale, deklaron heqjen e masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, caktuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me Vendimin nr. 130, datë 23.10.2024, ndaj të pandehurit Piro Xhixho.

2. Deklarimin fajtor të pandehurës Fatime Kryemadhi për kryerjen veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal dhe dënimin e saj me 7 (shtatë) vjet e 6 (gjashtë) muaj burrgim.
• Në aplikim të nenit 406, kësaj mase dënimi i ulet 1/3 e dënimit dhe përfundimisht dënimin e saj me 5 (pesë) vjet burgim.
• Në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim për pjesën e mbetur, dhe vënien e të pandehurës Fatime Kryemadhi në provë, me kusht që brenda dy vjetësh të mos kryejë vepër tjetër penale dhe të mbajë kontakte me shërbimin e provës.
• Në bazë të nenit 60 pika 9 të Kodit Penal, urdhërohet e pandehura Fatime Kryemadhi të mos mbajë kontakte me persona të dënuar përveç familjarëve.

3. Deklarimin fajtor të pandehurës Ema Çoku për kryerjen veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal dhe dënimin e saj me 2 (dy) vjet burgim.
• Në aplikim të nenit 406, kësaj mase dënimi i ulet 1/3 e dënimit dhe përfundimisht dënimin e saj me 1 (një) vit e 4 (katër) muaj burgim.
• Në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim për pjesën e mbetur, dhe vënien e të pandehurës Ema Çoku në provë, me kusht që brenda 2 (dy) vjet e 8 (tetë) muaj të mos kryejë vepër tjetër penale dhe të mbajë kontakte me shërbimin e provës.
• Gjykata bazë të nenit 389 të K.Pr.Penale, deklaron heqjen e masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, caktuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 125, datë 20.10.2024, ndaj të pandehurës Ema Çoku.
• Në bazë të nenit 60 pika 9 të Kodit Penal, urdhërohet e pandehura Ema Çoku të mos mbajë kontakte me persona të dënuar përveç familjarëve.

4. Në aplikim të nenit 190 dhe 274 e vijues të Kodit të Procedurës Penale, si dhe nenit 36 paragrafi i 1 pikat “b” dhe “ç” dhe 36 paragrafi i 2-të i Kodit Penal, rrëzimin e kërkesës për konfiskimin e pasurisë së paluajtshme nr. 118/81- ND 15, volumi 65, faqe 42, zona kadastrale nr. 3292, Selitë, Tiranë, ndërtesë me sipërfaqe kati përdhe 152 m2 nga të cilat 82 m2 banesë dhe verandë 70 m2, sipërfaqe kati nëntokë 139 m2, sipërfaqe kati i parë 79 m2, sipërfaqe e katit të dytë 51 m2, sipërfaqe verande kati i dytë 27.9 m2, në pronësi të Fatime Kryemadhit, me adresë Rezidenca “Kodra e Diellit”, Rr. “Jaseminëve”, Vila nr. 163.

Top Channel