TIRANË- Nëna e Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi, dhe shoqja e saj, Ema Çoku, u dënuan nga GJKKO për fraksionin e ndarë të dosjes ‘Meta’, por nuk do të vuajnë asnjë ditë burg. Për shkak se janë gjykuar me gjykim të shkurtuar, të dyja do ta shlyejnë dënimin me shërbim prove, ndërsa babai i deputetes Erisa Xhixho, Pirro Xhixho, u shpall i pafajshëm për korrupsion pasiv.
GJKKO e dënoi Fatime Kryemadhin me 7 vite e 6 muaj burg për pastrim parash. Me gjykim të shkurtuar, dënimi u ul në 5 vite burg, të cilin do ta shlyejë me shërbim prove për 2 vite. Edhe vila trekatëshe në zonën rezidenciale “Kodra e Diellit” do t’i kthehet Fatime Kryemadhit, pasi Gjykata e Posaçme rrëzoi kërkesën e SPAK për konfiskimin e saj.
Sipas SPAK-ut, përmes veprimeve të Fatime Kryemadhit u futën në sistemin bankar rreth 846 mijë euro me burim të pajustifikuar, në favor të vajzës së saj, Monika Kryemadhi, dhe ish-dhëndrit Ilir Meta. SPAK pretendon se këto veprime nuk janë kryer për përfitim personal, por në favor të vajzës së saj, Monika Kryemadhi, dhe ish-dhëndrit, Ilir Meta. Prokuroria kërkoi konfiskimin e vilës me argumentin se vlera e saj ishte e barasvlershme me shumën që pretendonte se ishte pastruar, por trupi gjykues ia rrëzoi kërkesën.
Ema Çoku u dënua me 2 vite burg për pastrim parash, dënim që me gjykim të shkurtuar u ul në 1 vit e 4 muaj, të cilin do ta shlyejë me shërbim prove për 2 vite e 8 muaj. Sipas SPAK-ut, Çoku kishte firmosur një deklaratë noteriale për një hua prej 220 mijë eurosh për të justifikuar burimin e parave të Fatime Kryemadhit.
Sa i takon Pirro Xhixhos, SPAK e akuzonte se gjatë kohës kur drejtonte AKEP-in, kishte favorizuar kompani të lidhura me biznesmenin Adrian Shatku, pas ndërhyrjeve të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit. Por, GJKKO e shpalli të pafajshëm për korrupsion pasiv dhe i hoqi masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”.
Vendimi i plotë i GJKKO
-Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Piro Xhixho për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore dhe të zgjedhurve vendorë” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 dhe 25 i Kodit Penal, pasi nuk provohet që e ka kryer këtë vepër penale, sipas parashikimit të nenit 388, pika 1, gërma “d” të K.Pr.Penale.
• Gjykata bazë të nenit 389 të K.Pr.Penale, deklaron heqjen e masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, caktuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me Vendimin nr. 130, datë 23.10.2024, ndaj të pandehurit Piro Xhixho.
-Deklarimin fajtor të pandehurës Fatime Kryemadhi për kryerjen veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal dhe dënimin e saj me 7 (shtatë) vjet e 6 (gjashtë) muaj burrgim.
-Në aplikim të nenit 406, kësaj mase dënimi i ulet 1/3 e dënimit dhe përfundimisht dënimin e saj me 5 (pesë) vjet burgim.
-Në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim për pjesën e mbetur, dhe vënien e të pandehurës Fatime Kryemadhi në provë, me kusht që brenda dy vjetësh të mos kryejë vepër tjetër penale dhe të mbajë kontakte me shërbimin e provës.
-Në bazë të nenit 60 pika 9 të Kodit Penal, urdhërohet e pandehura Fatime Kryemadhi të mos mbajë kontakte me persona të dënuar përveç familjarëve.
-Deklarimin fajtor të pandehurës Ema Çoku për kryerjen veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal dhe dënimin e saj me 2 (dy) vjet burgim.
Në aplikim të nenit 406, kësaj mase dënimi i ulet 1/3 e dënimit dhe përfundimisht dënimin e saj me 1 (një) vit e 4 (katër) muaj burgim.
Në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim për pjesën e mbetur, dhe vënien e të pandehurës Ema Çoku në provë, me kusht që brenda 2 (dy) vjet e 8 (tetë) muaj të mos kryejë vepër tjetër penale dhe të mbajë kontakte me shërbimin e provës.
Gjykata bazë të nenit 389 të K.Pr.Penale, deklaron heqjen e masës së sigurimit “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, caktuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 125, datë 20.10.2024, ndaj të pandehurës Ema Çoku.
Në bazë të nenit 60 pika 9 të Kodit Penal, urdhërohet e pandehura Ema Çoku të mos mbajë kontakte me persona të dënuar përveç familjarëve.
-Në aplikim të nenit 190 dhe 274 e vijues të Kodit të Procedurës Penale, si dhe nenit 36 paragrafi i 1 pikat “b” dhe “ç” dhe 36 paragrafi i 2-të i Kodit Penal, rrëzimin e kërkesës për konfiskimin e pasurisë së paluajtshme nr. 118/81- ND 15, volumi 65, faqe 42, zona kadastrale nr. 3292, Selitë, Tiranë, ndërtesë me sipërfaqe kati përdhe 152 m2 nga të cilat 82 m2 banesë dhe verandë 70 m2, sipërfaqe kati nëntokë 139 m2, sipërfaqe kati i parë 79 m2, sipërfaqe e katit të dytë 51 m2, sipërfaqe verande kati i dytë 27.9 m2, në pronësi të Fatime Kryemadhit, me adresë Rezidenca “Kodra e Diellit”, Rr. “Jaseminëve”, Vila nr. 163.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Lajmi në përditësim...




Komente
Komento