Sfida e Conference League-s në orën 18:45, Egnatia pret Lincoln Red Imps. Kjo është mbrëmja e kampionëve të Shqipërisë. Egnatia zbret në stadiumin “Air Albania” për të përfaqësuar veten dhe gjithë futbollin shqiptar në arenën europiane. Pret Lincoln Red Imps në ndeshjen e 4-t të fazës së ligës dhe objektivi është i qartë:
Të arrijë fitoren e parë në këtë nivel.
Rrogozhinasit kanë avantazhin se do të kenë skuadër të plotë dhe trajneri Nevil Dede pritet të hedhë në fushë “artilerinë e rëndë”. Me përjashtim të Bakajokos e Sotës të dëmtuar, të gjithë të tjerët janë të gatshëm.
Rrogozhinasit i kanë të gjitha “kartat” për të regjistruar fitoren e parë në grupet e një kompeticioni europian. Por, trajneri Dede ka bërë apel për vlerësim të kundërshtarit.
Kampionëve të Shqipërisë sot pritet t’iu shkojë në ndihmë edhe stadiumi “Air Albania”, ku nuk do të jenë vetëm tifozë rrogozhinas, por edhe sportdashës të tjerë që do të mbështesin skuadrën shqiptare.
Të gjithë shpresojnë të shijojnë një ndeshje të bukur e të festojnë në fund.
Pas 3 ndeshjesh në fazën e Ligës së Conference League-s, Egnatia ka 2 pikë, me dy barazime dhe një humbje.