Thursday / November 26 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Lajmet Kryesore Nga Vendi

Qeveria ndryshon rregullat e tenderave, kontratat publike mund të kundërshtohen edhe pas nënshkrimit

Prokurime publike
Share Share Icon

Qeveria  po rishikon rregullat e prokurimit publik, duke zgjeruar mundësitë e bizneseve për të kundërshtuar kontratat edhe pas nënshkrimit të tyre, duke vendosur kërkesa të reja për kontrollin e nënkontraktorëve dhe duke lejuar përjashtime nga procedurat standarde për një pjesë të kontratave të ndara në lote.

Projektvendimi, i hartuar nga Agjencia e Prokurimit Publik dhe i nxjerrë për konsultim, përmban 49 nene dhe synon përmbushjen e një prej tri piketave mbyllëse të vendosura nga Bashkimi Europian për kapitullin e prokurimit publik.

Sipas relacionit shoqërues, domosdoshmëria e hartimit të ndryshimeve erdhi edhe nga nevoja për të përmirësuar kuadrin rregullator, “nisur nga problematikat e ndeshura në praktikë”.

Një nga ndryshimet më të rëndësishme prek të drejtën e bizneseve për të kërkuar pavlefshmërinë e kontratave publike pas nënshkrimit.

Projektvendimi parashikon një afat ankimimi prej 30 ditësh kalendarike kur janë publikuar ose komunikuar arsyet e dhënies së kontratës, sipas kushteve të përcaktuara në akt.

Në rastet e tjera, bizneset mund të ankohen “përpara përfundimit të një periudhe prej të paktën 6 muaj”, duke filluar nga dita pas lidhjes së kontratës.

Ndryshimet prekin edhe transparencën e kontratave të dhëna me negocim pa shpallje paraprake. Njoftimi i lidhjes së kontratës duhet të përmbajë justifikimin për përdorimin e kësaj procedure, numrin e ofertave të marra, përfshirë ato nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe kompanitë e huaja, si dhe vlerën dhe përqindjen e kontratës që do të nënkontraktohet.

Nga ana tjetër , projektvendimi lejon që informacione të caktuara të mos bëhen publike nëse publikimi pengon zbatimin e ligjit, bie ndesh me interesin publik, dëmton interesat legjitime tregtare të kompanive ose cenon konkurrencën e ndershme.

Rregullat e reja parashikojnë gjithashtu mundësinë që lote të kontratave mbi kufirin e lartë monetar të prokurohen nëpërmjet procedurave të parashikuara për vlera më të ulëta, kur vlera individuale e tyre është nën 7.6 milionë lekë për mallrat dhe shërbimet dhe 95.2 milionë lekë për punët publike, pa TVSH.

Vlera e përgjithshme e loteve që përfitojnë nga përjashtimi nuk duhet të tejkalojë 20% të vlerës totale të loteve.

Autoritetet kontraktore do të kenë detyrimin të kërkojnë zëvendësimin e nënkontraktorëve që rezultojnë në kushtet e skualifikimit. Pas dhënies së kontratës, nënkontraktorët duhet të paraqesin certifikata dhe dokumente mbështetëse në vend të vetëdeklarimeve.

“Autoritetet ose entet kontraktore mund të kërkojnë paraqitjen e informacionit edhe për nënkontraktorët e nënkontraktorëve të kontraktorit kryesor ose dhe në hallka të tjera të zinxhirit të nënkontraktimit”, përcakton projektvendimi.

Një tjetër ndryshim parashikon dokumentimin e ndryshimeve të kritereve të kualifikimit, specifikimeve teknike dhe kritereve të përzgjedhjes së fituesit. Sipas relacionit, masa synon të rrisë transparencën në hartimin e kritereve të tenderave, pas komunikimeve me institucionet kontraktore dhe bizneset.

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Gjysma e apartamenteve me qira në Tiranë janë më të shtrenjta se 660 euro/muaj, çmimet për 56 zona

Qiraja mediane e apartamenteve në Tiranë për muajin nëntor 2026 ka arritur në 660 euro në muaj. Të dhënat janë përllogaritur nga platforma e pavaru...

5 hours më parë 6 Min Lexim

Raporti / Çerdhet pa drekë dhe me orar të kufizuar, pengesë për punësimin e nënave

Një ditë pune me tetë orë, por një çerdhe që e përfundon shërbimin në mesditë. Mospërputhja ndërmjet orarit të institucioneve të kujdesit për fëmij...

5 hours më parë 3 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!