“Nuk e çon dot kokën lart se ke fytyrën e kriminelit”, Berisha akuza të forta Ballës: E ke vendin në qeli, jo në Parlament

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë akuza të forta në Kuvend, duke e cilësuar parlamentin aktual si më kriminalin në historinë e Shqipërisë.
Gjatë fjalës së tij, Berisha sulmoi drejtpërdrejt kreun e grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, të cilin e akuzoi për përfshirje në porositjen e vrasjeve.
Berisha pretendoi se regjistrimet që, sipas tij, faktonin këto akuza janë zhdukur nga një gjyqtare dhe një prokuror. Ai iu drejtua Ballës me tone të ashpra, duke deklaruar se vendi i tij nuk është në Parlament, por në qeli.
“Ky është Parlamenti më kriminal që ka ekzistuar në historinë e Shqipërisë. Nëse në ’45 zunë vend në këtë sallë vrasës serialë dhe autorë të luftës civile, sot në këtë sallë janë kriminelë ordinerë, trafikantë, porositës vrasjesh.
Njëri prej të cilëve është Taulant Bego, Yaris, me disa mbiemra. Një gjykatëse faqezeze dhe një prokuror faqezi zhdukën regjistrimet në të cilat faktohej se krimineli Taulant Balla kishte porositur vrasje dhe se ai ishte i përfshirë në masakrën që ndodhi në Elbasan, ku mbetën të vrarë 4 apo 5 vetë, dhe më pas vazhdoi porositë për vrasje.
Çoje kokën lart, por nuk e çon dot se ke fytyrën e kriminelit. Ai e ka vendin në qeli, jo në Parlament. Çfarë pune ka ai në Parlament?”, tha Berisha.




