Zgjerimi i Bashkimit Europian po përballet me pengesa të shumta politike, ndërsa disa shtete anëtare po përdorin të drejtën e vetos për të kushtëzuar përparimin e vendeve kandidate. Mosmarrëveshjet historike, çështjet e pakicave kombëtare dhe interesat e politikës së brendshme po ndikojnë drejtpërdrejt në procesin e integrimit. Mali i Zi, kandidati më i avancuar në rrugën drejt BE-së, përballet me kërkesat e Kroacisë për çështje të pazgjidhura që lidhen me luftërat e viteve 1990, personat e zhdukur dhe pronat e ish-Jugosllavisë. Ndërkohë, Maqedonia e Veriut humbi shumë vite për shkak të vetove të Greqisë dhe Bullgarisë, fillimisht për emrin e shtetit dhe më pas për mosmarrëveshjet historike dhe identitare. Edhe Shqipëria është hasur me paralajmërimet e vazhdueshme të Greqisë . Në korrik 2022, BE nisi negociatat e anëtarësimit me vendin tonë, që është kandidat i BE që nga viti 2014. Shqipëria mund të bëhet anëtarja e re e bllokut pas Malit të Zi. Megjithatë, Greqia ka kërcënuar përsëri (më së fundi në qershor) se do të bllokojë procesin e anëtarësimit nëse të drejtat e pakicës greke nuk mbrohen në mënyrë adekuate, veçanërisht ato që lidhen me të drejtat e pronësisë. Duke pasur parasysh të gjitha këto, Brukseli prej kohësh po debaton për një reformë të procesit të anëtarësimit dhe të sistemit të vetos të BE. Në fillim të tetorit, Komisioni Europian propozoi që vendimet për të hapur negociatat me vendet kandidate të merren me shumicë të kualifikuar dhe jo me konsensus të plotë. Po ashtu, u propozua që anëtarët e rinj të BE të detyrohen të heqin dorë plotësisht nga e drejta e tyre e vetos mbi vendimet në fusha të caktuara politike për një periudhë të përcaktuar. Ceshtja është se këto reforma duhet të miratohen me konsensus të plotë, që do të thotë se çdo shtet anëtar mund të vendosë veton për reformën.