Rrëzimi i rezolutës për mungesëne barnave për pacientët me kancer, Deliu e quan turp institucional

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka reaguar pas mosmiratimit të rezolutës që synonte adresimin e mungesës së barnave për pacientët me kancer në Kosovë.
Përmes një postimi, Deliu ka kritikuar shumicën parlamentare, duke thënë se, pavarësisht raportimeve të vazhdueshme të pacientëve onkologjikë për mungesë të terapive, deputetët kanë votuar kundër rezolutës që synonte zgjidhjen e këtij problemi.
Ajo ka bërë të ditur se rezoluta përmbante shtatë kërkesa, përfshirë furnizimin e pandërprerë me barna esenciale për pacientët me kancer, raportimin për mungesat dhe arsyet e tyre, krijimin e rezervave minimale të barnave, si dhe shqyrtimin e mundësisë së rimbursimit të pacientëve që janë detyruar t'i blejnë vetë terapitë.
Po ashtu, kërkohej identifikimi i përgjegjësive institucionale, transparencë për gjendjen e barnave dhe mbikëqyrje parlamentare për zbatimin e këtyre masave.
Sipas Deliut, rezoluta mori 26 vota për dhe 49 kundër.
“Për mua, ky votim është marrëzi dhe turp institucional”, ka shkruar ajo.
Deputetja ka theksuar se çështja e furnizimit me terapi për pacientët me kancer nuk duhet të trajtohet si çështje partiake, por si përgjegjësi politike dhe njerëzore.
“Pacientët që luftojnë me kancerin nuk duhet të luftojnë edhe me shtetin për të siguruar terapinë e tyre”, ka deklaruar Deliu.
Në fund, ajo ka thënë se shumica parlamentare mban përgjegjësi politike për votën kundër rezolutës dhe duhet të japë llogari për këtë vendim. /Telegrafi/



































