Kuvendi u mblodh të enjten në seancë plenare, ku pritet të votohet projektbuxheti i vitit 2027 dhe paketa fiskale. Opozita ka paraqitur 40 amendamente në total: 28 nga Partia Demokratike dhe 12 nga Partia e Lirisë. Amendamentet e PD-së fokusohet në rritjen e pagave të ulëta dhe të mesme, shtimin e fondeve për pensionet dhe aplikimin e TVSH-së së reduktuar në 6% për ushqimet, produktet bazë, ujin dhe energjinë. Paketat e Partisë së Lirisë ndahen në katër grupe që synojnë mbështetjen e rinisë, prodhimit vendas, sigurinë dhe mbrojtjen sociale.
Në rendin e ditës përfshihet edhe një akt normativ lidhur me tubimet dhe gjobat ndaj protestuesve, si dhe propozimi për lirimin nga detyra të kreut të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP). Nëse kryetari largohet, drejtimi i institucionit do t’i besohet anëtarit më të vjetër deri në zgjedhjen e kryetarit të ri.
Në axhendë gjenden gjithashtu projektligjet për tregjet e kriptoaseteve, donacionet dhe sponsorizimet, mbikëqyrjen shtesë të institucioneve financiare, kontabilitetin në sektorin publik dhe kontrollin e punimeve të ndërtimit.
Seanca shoqërohet me debate të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës rreth reformës zgjedhore. Partia Demokratike kërkoi zgjatjen e afatit të komisionit, ndërsa kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, kundërshtoi që axhenda europiane të mbetet “e marrë peng” pas datës 30 nëntor. Përplasjet u fokusuan edhe te akti normativ për tubimet; deputeti Saimir Korreshi e cilësoi aktin si çnjerëzor dhe në kundërshtim me liritë themelore, ndërsa Ina Zhupa akuzoi mazhorancën se po mbron dhunën e policisë duke thënë se asnjë efektiv nuk është dënuar apo arrestuar.
Nga ana e mazhorancës, Taulant Balla akuzoi demokratët për dhunë në protesta dhe deklaroi: “E keni degjeneruar PD-në në një fabrikë të prodhimit të molotovëve! Demokracia ngrihet me votë, jo me dhunë”.
Teksti është publikuar nga Top Channel.
