Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, gjatë prezantimit të raportit ka bërë të ditur se procesi i intervistimit nuk ka rezultuar me kandidatë nga komuniteti shqiptar dhe ai serb që mund t’i propozohen Kuvendit për votim, për shkak të mosparaqitjes së tyre në intervista.

“Gjatë intervistave që janë zhvilluar, nuk kemi arritur të kemi kandidatë që plotësojnë kriteret për t’u prezantuar këtu në seancë. Do të vazhdojmë me propozimet vetëm për anëtarët nga komunitetet joshumicë, jo shqiptarë dhe jo serbë”, deklaroi Nagavci.

Ndërkaq, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, tha se kandidatët nuk janë tërhequr për shkak të mospërmbushjes së kritereve, por nuk janë paraqitur në intervistim.

“Nuk është që nuk i kanë plotësuar kriteret, por janë tërhequr të gjithë nga gara dhe nuk është paraqitur asnjëri prej tyre në intervistim. Kjo çështje duhet të na shqetësojë të gjithëve. Ne duhet të krijojmë kushte dhe të inkurajojmë profesionistët dhe njerëzit që mund të kontribuojnë në këtë fushë, që të mos frikësohen dhe procedurat të vazhdojnë pa ndikime politike”, tha Musliu.

Ajo kërkoi që raporti të pasqyrojë saktë rrjedhën e procesit, duke theksuar se asnjëri nga kandidatët që kishin aplikuar nuk ishte paraqitur në intervistim.

Në përgjigje të saj, Nagavci sqaroi se gjashtë kandidatë i kishin plotësuar kriteret për të kaluar në fazën e intervistimit.

Megjithatë, vetëm njëri kishte njoftuar se nuk mund të merrte pjesë për shkak se ndodhej jashtë vendit, ndërsa pesë të tjerët nuk ishin paraqitur fare.