AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Tema:
  • Belinda Balluku
  • Erion Veliaj
  • Veting
    • KPK
    • KP
    • KPA
  • SPAK
  • Mjedisi
  • Edi Rama
  • Sali Berisha
  • Zgjedhje 2025
    • Zgjedhje të pjesshme
AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
AI News
Kryefaqja Opinion

Letër nga Uashingtoni: “Tsunami blu” trazon marrëdhëniet e Trump-it me aleatët e tij në Ballkan

Marrëdhëniet e afërta të Presidentit amerikan me autokratët e Ballkanit mund të rikthehen në qendër të vëmendjes, në një Kongres që pritet të pësojë ndryshime të thella pas humbjes së republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit.

Jovana DjurovicAlma KoçingaJovana DjurovicdheAlma Koçi
7 seconds më parë
në Opinion
Koha e leximit: 8 min lexim
A A
0
Ndaj në FacebookNdaj në Twitter
6dea6afe 6ff7 4242 bfff 111762f5ecc1
Presidenti amerikan Donald Trump. Foto ilustruese e gjeneruar me inteligjencë artificiale.

Përshëndetje nga Uashingtoni, ku republikanët në Kongres dhe Presidenti Donald Trump kanë hyrë në fazën e fundit të mandatit të tyre politik, pas disfatës së thellë që u shkaktoi i ashtuquajturi “tsunami blu”. Demokratët siguruan shumicën në të dyja dhomat e Kongresit, madje edhe në shtete që prej dekadash kanë qenë bastione republikane, si Teksasi, Kansasi dhe Misisipi. Të zhgënjyer nga rritja e çmimeve të karburanteve dhe ushqimeve, si pasojë e luftës në Iran, dhe të indinjuar nga pasurimi i Presidentit dhe i njerëzve të rrethit të tij të ngushtë, votuesit i besuan demokratëve.

Zgjedhjet e mesmandatit u shndërruan në një referendum për Presidentin, por Trump nuk e pranon përgjegjësinë për humbjen e thellë të republikanëve dhe vazhdon të mbajë një qëndrim sfidues. Përplasja me demokratët duket e pashmangshme. Sapo këta të marrin zyrtarisht kontrollin e Kongresit në janar, paralizimi i politikës së brendshme në Uashington duket pothuajse i sigurt. Në politikën e jashtme, ndërkaq, Kongresi mund të ndjekë një linjë të ndryshme nga ajo e Shtëpisë së Bardhë. Dhe kjo mospërputhje mund të ketë pasoja edhe për Ballkanin.

Me formimin e qeverisë së re në Serbi, administrata amerikane duket se synon të vazhdojë në të njëjtën rrugë. Madje, pa u konstituuar ende parlamenti i ri serb, Departamenti i Shtetit ndërmori një nismë të rëndësishme, duke dërguar në Beograd zyrtarin më të lartë përgjegjës për rajonin. Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Brendan Hanrahan, u takua me përfaqësues të Listës Studentore, e cila doli fituese në zgjedhje. Takimi u zhvillua në të njëjtën ditë kur përfaqësuesit e kësaj liste u takuan edhe me ambasadorin rus në Serbi.

Përveç mesazheve tashmë të njohura për rifillimin e Dialogut Strategjik dhe thellimin e partneritetit mes dy vendeve, në agjendën e bisedimeve SHBA-Serbi u përfshi edhe një çështje e re: bashkëpunimi në luftën kundër krimit të organizuar. Kjo është gjithashtu një nga fushat që qeveria e ardhshme serbe ka deklaruar se do ta ketë përparësi.

Megjithatë, Kongresi amerikan mund të ketë prioritete të tjera, nëse Ballkani do të arrijë të zërë një vend në agjendën e tij. Në një mesazh urimi drejtuar udhëheqjes së re të Serbisë pas zgjedhjeve, një grup senatorësh nga të dyja partitë, anëtarë të Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, riafirmuan angazhimin e SHBA-së për integrimin evropian të Serbisë, forcimin e institucioneve demokratike dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Pra, Kongresi duket i gatshëm të mbështesë njërën prej objektivave kryesore të qeverisë së re serbe: integrimin evropian të vendit. Por mbetet për t’u parë se si do të pritet kjo qasje në Shtëpinë e Bardhë, e cila aktualisht ndodhet në një marrëdhënie të tensionuar me Brukselin.

Një tjetër çështje që mbetet e paqartë është se çfarë marrëdhënieje do të krijojnë me Trump-in përfaqësuesit e Listës Studentore, një lëvizje pa lider, që synon të çrrënjosë korrupsionin. Trump, nga ana tjetër, e trajton politikën si një çështje transaksionesh dhe është akuzuar nga kritikët për korrupsion dhe favorizim të njerëzve të afërt me të.

Qeveria e mëparshme, e drejtuar nga Aleksandër Vuçiç dhe Partia Progresive Serbe, SNS, kishte marrëdhënie të mira me Trump-in. Ajo u ofroi mundësi biznesi anëtarëve të familjes së Presidentit amerikan dhe pagoi lobistë me lidhje me të, për të punuar në interes të Serbisë. Megjithatë, raportimet treguan se puna e tyre përqendrohej më shumë në promovimin e Vuçiçit dhe aleatëve të tij.

Konservatorët amerikanë mblidhen në Beograd

Presidenti amerikan Donald Trump. Foto: Wikimedia.

Përpjekjet e Serbisë për të krijuar lidhje me Trump-in dhe të djathtën amerikane nuk kanë qenë krejtësisht të kota. Edicioni i parë ballkanik i Konferencës së Veprimit Politik Konservator, CPAC, forumi më me ndikim që mbledh konservatorët amerikanë dhe aleatët e tyre ndërkombëtarë, do të zhvillohet në Beograd.

Pas humbjes së pushtetit nga Vuçiçi, CPAC e kishte shtyrë organizimin e aktivitetit të saj në Ballkan, por tashmë e ka caktuar sërish datën: 27 janar, në Beograd. Vuçiçi nuk do të jetë më folësi kryesor, por do të marrë pjesë në konferencë. Sipas njoftimit për shtyp të CPAC, ftesa do t’u dërgohen edhe përfaqësuesve të shumicës së re qeverisëse.

Data e re e konferencës u bë publike pas një takimi të mbyllur që CPAC organizoi në Mar-a-Lago, pas zgjedhjeve të mesmandatit. Aktiviteti kishte karakter komercial, me bileta që kushtonin nga 2,500 dollarë për një darkë deri në 95,000 dollarë për një përvojë ekskluzive në prapaskenë. Zeljko Mitroviç, pronari i televizionit Pink TV, një media e afërt me Vuçiçin, mburrej në llogarinë e tij në rrjetin X se kishte marrë pjesë në konferencë dhe kishte ndjekur edhe një fjalim jozyrtar të Trump-it.

CPAC financohet pjesërisht nga shitja e biletave për aktivitete të tilla, por ende nuk dihet se kush qëndron financiarisht pas konferencave që organizohen jashtë SHBA-së. CPAC organizohet nga Unioni Konservator Amerikan, një organizatë jofitimprurëse, e cila nuk është e detyruar t’i bëjë publikë emrat e donatorëve të saj.

Megjithatë, konservatorët amerikanë mund të jenë e vetmja familje politike ndërkombëtare me të cilën Vuçiçi dhe partia e tij ruajnë ende lidhje, pasi Partia Popullore Evropiane, PPE, ka njoftuar se SNS-ja ndodhet në prag të përjashtimit nga radhët e saj.

Një shembull i suksesshëm i krijimit të lidhjeve me konservatorët amerikanë është Milorad Dodik, ish-presidenti i entitetit me shumicë serbe në Bosnjë, Republika Srpska. Edhe ai pagoi një biletë për të marrë pjesë në takimin e CPAC në Mar-a-Lago. Dodik ka arritur të krijojë marrëdhënie të afërta me qarqet amerikane falë miliona dollarëve që ka paguar për lobistë të lidhur me Trump-in, përfshirë bashkëpunëtorë të fushatës së tij dhe vajzën e ish-shefit të kabinetit të Presidentit amerikan.

Por Dodik duket se ka pasur edhe një aleat në Departamentin e Shtetit. Media me bazë në Uashington, Semafor, publikoi një artikull për Alexander Alden, këshilltar i Marco Rubio-s, i cili më herët ishte përshkruar jozyrtarisht si personi që drejtonte në prapaskenë politikën amerikane ndaj Bosnjës.

Sipas Semafor, Alden ishte shprehur në favor të përmirësimit të marrëdhënieve me Dodikun dhe të reduktimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare mbi Bosnjën, përfshirë edhe rolin e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë. Pas dorëheqjes së Christian Schmidt, pasardhësi i tij në këtë detyrë ende nuk është emëruar.

Trump e ka emëruar Alden-in ambasador të SHBA-së në Azerbajxhan. Nëse procesi i konfirmimit të emërimit të tij vijon, në Senat ka të ngjarë t’i bëhen pyetje edhe për qëndrimin e tij ndaj Republikës Srpska.

Qasja miqësore ndaj Dodikut mund të përballet me pengesa kur demokratët të marrin kontrollin e Kongresit në janar. Anëtarë të të dyja partive në Kongres kanë kërkuar rikthimin e sanksioneve ndaj Dodikut për shkak të retorikës së tij separatiste, si dhe kanë ngritur shqetësime për skemën e tij të ndikimit politik përmes pagesave, të njohur si “pay-to-play”. Megjithatë, pushteti ekzekutiv i ka shpërfillur me sukses këto kërkesa. Nëse Ballkani do të përfshihet në agjendën e Kongresit, Dodiku ka të ngjarë të jetë ndër çështjet e para që do të shqyrtohen.

Edhe Kosova i drejtohet lobimit në Uashington

mikhail bogachek
Mikhail Bogachek, kandidati për ambasador të SHBA-së në Kosovë. Foto: Juan Manuel Herrera/OAS.

Edhe Kosova ka vendosur të provojë ndikimin e lobistëve për të përmirësuar pozicionin e saj në rrethin e afërt të Trump-it. Për këtë qëllim, ajo ka angazhuar një kompani të njohur lobimi, të drejtuar nga Brian Ballard, një strateg dhe mbledhës fondesh me përvojë në radhët e republikanëve.

Shefja e mëparshme e kabinetit të Trump, Susie Wiles, dhe ish-prokurorja e përgjithshme Pam Bondi kanë punuar dikur në kompaninë Ballard Partners. Gjatë fushatës presidenciale të vitit 2024, Ballard ishte një nga mbledhësit kryesorë të fondeve për Trump-in. Pavarësisht disa mosmarrëveshjeve të herëpashershme me Presidentin, ai gëzon reputacion të mirë në Shtëpinë e Bardhë.

Sipas marrëveshjes, Kosova do t’i paguajë kompanisë 50 mijë dollarë në muaj për të lobuar në një sërë çështjesh, duke filluar nga komunikimi publik e deri te promovimi i interesave të saj gjeopolitike. Kjo është hera e parë në dy vjet që Prishtina angazhon zyrtarisht një kompani amerikane për ta ndihmuar në gjetjen e gjuhës së përbashkët me administratën Trump. Kjo e fundit pezulloi Dialogun Strategjik, ndërsa marrëdhëniet me partnerin e saj më të afërt në Ballkan janë përkeqësuar ndjeshëm.

Kosova ka mbetur gjithashtu pa ambasador amerikan prej gati dy vitesh. Megjithatë, kjo situatë mund të ndryshojë së shpejti. Në nëntor, Trump propozoi Mikhail Bogachek, nga Florida, drejtues i një organizate të Organizatës së Shteteve Amerikane, për postin e ambasadorit në Prishtinë. Bogachek ka doktoraturë në bioinxhinieri, por nuk ka përvojë as në diplomaci dhe as në çështjet e Ballkanit. Ai është anëtar i bordit drejtues të Koalicionit Hebraik Republikan, një organizatë lobuese që ndër të tjera synon forcimin e marrëdhënieve me Izraelin.

Sipas të dhënave të disponueshme në regjistrat publikë, Bogachek është gjithashtu drejtues i organizatës jofitimprurëse Federata Ruso-Amerikane. Megjithatë, biografia e tij nuk përmend ndonjë prejardhje ruse.

Edhe posti i ambasadorit amerikan në Maqedoninë e Veriut mund të plotësohet më në fund. Për këtë detyrë është propozuar Christy McCormick, një avokate nga Kalifornia, e cila ka një karrierë të gjatë në Komisionin Amerikan për Asistencën Zgjedhore. Ajo ka qenë gjithashtu pjesë e komisionit të ngritur nga Trump pas fitores së zgjedhjeve të vitit 2016, me synimin për të hetuar pretendimet për manipulime zgjedhore, pasi Hillary Clinton fitoi votën popullore.

McCormick tërhoqi vëmendjen në SHBA edhe në vitin 2025, kur publikoi një deklaratë në mbështetje të një teorie konspirative të promovuar nga Trump, sipas së cilës demokratët kërkojnë kufij të hapur, në mënyrë që emigrantët pa dokumente të hyjnë në vend dhe të votojnë për ta.

Arsyet që çuan në përzgjedhjen e McCormick për të përfaqësuar SHBA-në në Shkup mbeten të paqarta. Megjithatë, ajo ka dëshmuar besnikëri politike, një cilësi që Trump e vlerëson mbi të gjitha kur zgjedh personat që do të shërbejnë në administratën e tij.

Emërimet e ambasadorëve amerikanë në Serbi, Bosnjë dhe Mal të Zi kanë bërë një hap tjetër drejt miratimit përfundimtar. Komisioni i Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë i ka përcjellë kandidaturat e Michael K. Young, Ronald Johnson dhe Peter McCoy për votim në Senatin e plotë, i cili mund të zhvillohet deri në fund të vitit. Gjatë kësaj periudhe të fundit të mandatit, ndërsa republikanët vazhdojnë të kenë shumicën në Kongres, ata do të përpiqen të miratojnë sa më shumë nisma nga agjenda e Trump-it.

Megjithatë, situata nuk është aq e thjeshtë. Ndonëse republikanët e kanë ende shumicën, bëhet fjalë për një sesion të fundit të Kongresit përpara ndryshimit të përbërjes së tij. Për më tepër, nevoja për miratimin e buxhetit pritet t’i ndërlikojë ndjeshëm gjërat dhe të kërkojë kompromise politike mes palëve. Në Capitol Hill, emërimet presidenciale që i përcillen Senatit për miratim janë përdorur tradicionalisht si karta negociuese. Një gjë është e sigurt: duhet të përgatitemi për pasiguri.

Jovana Djurovic është gazetare me bazë në Uashington.

Opinionet e shprehura jenë vetëm ato të autores dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.

Etiketa: Aleksandër VuçiçBallkani PerendimorDonald TrumpKosovaMikhail BogachekMilorad DodikSerbiaSHBA
6dea6afe 6ff7 4242 bfff 111762f5ecc1

Letër nga Uashingtoni: “Tsunami blu” trazon marrëdhëniet e Trump-it me aleatët e tij në Ballkan

12:13 | 26/11/2026
valkai0 20250729 195108 290725081 1

Fatime Kryemadhi shpallet fajtore për pastrim parash

10:45 | 26/11/2026
rama spiro

Veliaj dhe Spiropali sfidojnë Ramën, por jo dominimin e tij në PS

08:21 | 26/11/2026
malltezi

Katër ish-zyrtarë të Mbrojtjes dëshmojnë për privatizimin e klubit “Partizani”

17:50 | 25/11/2026
I akuzuari për kontrabandën e cigareve fiton lirinë me 1 milion euro garanci

Erlis Duka shpallet fajtor për vrasjen e Santiago Malkos

15:14 | 25/11/2026
spiropali

Spiropali denoncon procedurën e përjashtimit nga grupi i PS

14:39 | 25/11/2026
  • Opinion
  • Reportazhe
  • Analiza
  • Investigime
  • Lajme
  • Blog
  • Rajoni
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Letra për redaktorin
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2026 Reporter.al - BIRN
Dev by Sfida.PRO

Menaxho Pëlqimin

Për të ofruar përvojën më të mirë, ne përdorim teknologji si cookies për të ruajtur dhe/ose për të aksesuar informacionin e pajisjes. Pranimi i këtyre teknologjive do të na lejojë të përpunojmë të dhëna si sjellja e shfletimit ose ID-të unike në këtë faqe. Mos pranimi ose tërheqja e pëlqimit mund të ndikojë negativisht në disa veçori dhe funksione.

Funksionale Always active
Ruajtja ose aksesi teknik është rreptësisht i nevojshëm për qëllimin e ligjshëm të mundësimit të përdorimit të një shërbimi specifik të kërkuar shprehimisht nga abonenti ose përdoruesi, ose me qëllimin e vetëm të kryerjes së transmetimit të një komunikimi përmes një rrjeti komunikimi elektronik.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistika
Ruajtja ose aksesi teknik që përdoret ekskluzivisht për qëllime statistikore. The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Marketing
Ruajtja ose aksesi teknik është i nevojshëm për të krijuar profile përdoruesish me qëllim dërgimin e reklamave, ose për të ndjekur përdoruesin në një faqe interneti ose në disa faqe interneti për qëllime të ngjashme marketingu.
  • Manage options
  • Manage services
  • Manage {vendor_count} vendors
  • Read more about these purposes
Shiko preferencat
  • {title}
  • {title}
  • {title}
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista

© 2024 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.