Mazhoranca dhe opozita debatoi sot në Kuvend lidhur me afatet e komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore, mandati i së cilit përfundon në 30 nëntor.
Bashkëkryetari i komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore, deputeti i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi kërkoi sërish sot shtyrjen e mandatit të komisionit me argumentin se duhen pritur rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.
“Sot ka ardhur Komisioni i Venecias, pak më vonë kemi takim me ta për të diskutuar dhe për të na dhënë asistencë. Për fat të keq shkresa juaj i ka keqdrejtuar, pasi ju keni kërkuar asistencë vetëm për ligjin e financimit të partive politike. Ndërkohë vendimi i komisionit me konsensus ka qenë për t’i marrë rekomandime për të gjitha paketat, mbi të gjitha për ndarjen e shtetit nga partia”, u shpreh Bylykbashi.
Sipas tij, OSBE/ODIHR është përgjigjur dhe kërkon të dijë nëse do të zgjatet mandati i komisionit në mënyrë që të ofrojë asistencën e vetë.
“Ajo që keni sjellë sot për ndarjen territoriale nuk është rekomandim i OSBE/ODIHR. Për më tepër, çështja po dërgohet në Gjykatë Kushtetuese. Së dyti, ligji ‘Për financimin e partive politike’ nuk është rekomandimi i OSBE/ODIHR. Ligji për financimin e partive politike është jashtë procesit zgjedhor, madje edhe po të miratohet sot nga parlamenti do të zbatohet në datën 10 maj 2027. Pyetja që kërkon Komisioni Europian është çfarë do të bëhet me konsensus dhe me urgjencë për rekomandimet e OSBE/ODIHR deri më 9 maj 2027”, tha Bylykbashi.
Ndërkohë, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, u shpreh se komisioni i posaçëm është ngritur sipas një formule të vjetër tradicionale dhe të dakordësuar mes palëve.
“Ju kemi dhënë të drejtën e vetos ju si bashkëkryetarë për gjithçka, që nga rendi i ditës e deri tek marrja e vendimeve. Komisioni i posaçëm e ka afatin deri në datë 30 nëntor. Pas datës 30 ju nuk e keni më të drejtën për të marrë peng agjendën tonë europiane. Ndaj uluni sot, nesër, pasnesër, punoni me seriozitet por mandati nuk shtyhet”, iu drejtua Balla Bylykbashit.
Balla kërkoi depolitizimin e komisioneve zgjedhore, miratimin e ligjit për financimin e partive politike dhe zgjerimin e përdorimit të teknologjisë në proceset zgjedhore, në prag të zgjedhjeve vendore të 9 majit 2027.
“Depolitizimi i komisioneve zgjedhore është një detyrim që ia ka Shqipëria shqiptarëve në radhë të parë, pastaj edhe ndërkombëtarëve që na e kanë vënë si detyrë. Koha kur partitë politike vetë votojnë e vetë numërojnë duhet të marri fund njëherë e përgjithmonë. E kemi një formulë të dakordësuar prej 7 vitesh: në nivel të përfaqësuesve tanë, 2 ekspertë ndër më të mirët që kemi njëri bashkëkryetar nga ana jonë dhe tjetri bashkëkryetar nga ana juaj, dhe të ecim përpara”, theksoi Balla.
Kreu i grupit parlamentar të PS-së propozoi gjithashtu që numërimi i votave të bëhet në qendrat e votimit, në mënyrë që rezultatet të mësohen brenda natës.


