Teksa projektbuxheti dhe paketa fiskale, dy dokumentet më të rëndësishme ekonomike, pritet të marrin dritën jeshile në Kuvend, transporti publik në të gjithë vendin ka protestuar këtë të enjte duke pezulluar shërbimin për dy orë e gjysmë. Nga ora 05:30 deri në 08:00 asnjë autobus urban apo ndërqytetës nuk ka qarkulluar duke lënë kështu qindra qytetarë në pritje në stacione, në orarin kur nisen drejt punës apo shkollës. Edhe pas rifillimit të shërbimit, autobusët mbërritën me vonesë ndërsa në Tiranë u krijuan radhë të gjata automjetesh dhe trafik i rënduar në disa prej akseve kryesore. Shkak i protestës është kundërshtimi i operatorëve ndaj propozimit për rritjen e TVSH-së nga 20 në 21 për qind.