Spanjollët nuk po ndiejnë përfitimet e rritjes ekonomike, Sánchez rrezikon humbjen e zgjedhjeve

Spanja ka regjistruar për tre vite radhazi rritjen më të lartë ekonomike ndër ekonomitë e zhvilluara, por përmirësimi i treguesve makroekonomikë nuk është reflektuar në të njëjtën masë në mirëqenien e qytetarëve, duke rrezikuar rizgjedhjen e kryeministrit Pedro Sánchez.Rritja e kostos së jetesës, çmimet e banesave dhe dobësimi i fuqisë blerëse janë ndër shqetësimet kryesore të votuesve përpara zgjedhjeve të së dielës, më 29 nëntor.
Sipas Reuters, sondazhet favorizojnë Partinë Popullore konservatore dhe partinë e ekstremit të djathtë Vox, të cilat së bashku pritet të sigurojnë shumicën në nivel kombëtar.
Gjatë qeverisjes së socialistëve, paga minimale është rritur me 66%, ndërsa pagat e punonjësve të administratës publike janë rritur me mbi 20%. Reformat në tregun e punës kanë ndihmuar në stabilizimin e të ardhurave të punonjësve në sektorë si bujqësia dhe turizmi.
Megjithatë, rritja e çmimeve të banesave, energjisë dhe mallrave të konsumit ka reduktuar përfitimet nga rritja e pagave. Spanja gjeneroi rreth 41% të vendeve të reja të punës në Bashkimin Europian gjatë vitit 2025, ndërsa deficiti buxhetor pritet të ulet në 2.6% të PBB-së në vitin 2026, nga 3.3% në vitin 2023. Rritja e të ardhurave për frymë nuk ka ndjekur të njëjtin ritëm. Fuqia blerëse e spanjollëve mbetet nën mesataren e Bashkimit Europian, ndërsa pagat reale janë ulur mesatarisht me 0.3% ndërmjet viteve 2019 dhe 2025, sipas një studimi të CaixaBank.
Përqindja e popullsisë së rrezikuar nga varfëria dhe përjashtimi social ka ndryshuar shumë pak gjatë dekadës së fundit. Inflacioni arriti në 4.9% në tetor, niveli më i lartë që prej shkurtit 2023. Besimi konsumator gjithashtu është përkeqësuar ndjeshëm gjatë mandatit të Sánchez, duke zbritur në 84.1 pikë në korrik 2026, nga 107 pikë në qershor 2018.
Drejtues të Partisë Socialiste kanë pranuar se përfitimet e rritjes ekonomike nuk janë shpërndarë në mënyrë të njëtrajtshme mes shtresave të shoqërisë dhe rajoneve të vendit. Partia Popullore ka premtuar rritjen e pagës mesatare vjetore në 50,000 euro, nga rreth 29,500 euro aktualisht, ndërsa Vox ka propozuar reduktime të konsiderueshme të taksave. Asnjëra prej partive nuk ka paraqitur detaje të plota mbi kostot e realizimit të këtyre premtimeve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









