Kryesore

“Veliaj dhe Spiropali sfidojnë Ramën”/ BIRN: PS shkon drejt zgjedhjeve me barrën e konfliktit të brendshëm

08:27 - 26.11.26 GSH Gazetar
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Përplasjet e dy ish-bashkëpunëtorëve me kryeministrit Edi Rama mund të ushqejnë pakënaqësi në elektoratin socialist, por gazetarët nuk shohin premisa për një lëvizje të organizuar që mund të kërcënojë kontrollin e tij mbi partinë.

Pas një stine të gjatë protestash që kërkojnë dorëheqjen e tij, kryeministri Edi Rama po shkon drejt zgjedhjeve lokale të 9 majit 2027 edhe barrën e një konflikti të brendshëm me dy prej ish-benjiaminëve të tij në parti, Erion Veliaj dhe Elisa Spiropali.

Në mbledhjen e fundit të Asamblesë së Partisë Socialiste, Rama vendosi shkarkimin e Erion Veliajt nga drejtimi politik i Tiranës dhe kërkoi përjashtimin e Spiropalit nga forumet drejtuese të Partisë, ç’ka u formalizua më pas me një votim të kontestuar për përjashtimin e saj nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste.

Nga pozita dhe rrethana të ndryshme, si Veliaj nga burgu, ashtu edhe Spiropali nga kryesia e Kuvendit po godasin stilin autoritar të Ramës në drejtimin e Partisë Socialiste si dhe rrethin e tij të ministrave dhe drejtorëve për privilegje të pamerituara.

Por ndonëse përplasje të tilla mund të shkaktojnë një efekt elektoral dhe kosto në imazh, pakkush beson se qëndrimet e izoluara të Veliajt dhe Spiropalit do të mund të sfidojnë dominimin e Ramës në Partinë Socialiste.

Gazetarja e politikës, Luljeta Progni vlerëson se pavarësisht efektit të deklaratave të Veliajt apo Spiropalit në radhët e besnikëve të tyre, mënyra e funksionit të Partisë Socialiste nuk lë shumë hapësirë për ndryshim.

“Ka një mënyrë funksionimi në PS, sipas së cilës shumica absolute e strukturave por edhe e elektoratit, shkon pas atij që mban karrigen e kryetarit,” tha Progni për BIRN.

Sipas Prognit, më shumë se sa dalja në skenë si kundërshtarë politikë e dy personazheve që kanë humbur pushtetin brenda PS-së, Ramën mund ta dëmtojë në këto zgjedhje “reagimi qytetar i shprehur prej gjashtë muajsh në protestë”.

Edhe Anila Basha, botuese e medias Neësbomb, ndan qëndrimin se përplasjet brenda partisë dhe protestat mund të prodhojnë pakënaqësi në elektoratin socialist, por vlerëson se kjo nuk përkthehet domosdoshmërisht në humbje votash për PS-në.

“Pa dyshim, fryma e protestave, e ndërthurur me përplasjet e brendshme politike, mund të ushqejë pakënaqësi në elektoratin socialist. Edhe disa prej sondazheve të fundit duket se sinjalizojnë një rënie të mbështetjes për PS-në,” tha Basha.

Megjithatë, ajo nënvizon se “ekziston një dallim i rëndësishëm mes pakënaqësisë politike të momentit dhe përkthimit të saj në një sjellje konkrete elektorale”.

Sipas Bashës, Partia Socialiste ka dëshmuar se zotëron një infrastrukturë të qëndrueshme elektorale dhe disiplinë të fortë organizative, që e ndihmojnë të ruajë mbështetjen e votuesve. Në këtë drejtim, ajo vëren se përkatësia partiake dhe mbështetja zyrtare e partisë për kandidatët vijojnë të kenë peshë të konsiderueshme në përcaktimin e votës, shpesh më të madhe se kapitali politik individual i figurave që garojnë.

“Për këtë arsye, nuk do ta konsideroja automatikisht përplasjen e sotme si një paralajmërim për një rezultat negativ elektoral të PS-së në vitin 2027,” thekson Basha.

Ndikimi elektoral i përplasjes mes Erion Veliajt, Elisa Spiropalit dhe Edi Ramës do të varet, sipas gazetareve, edhe nga fakti nëse kundërshtimi ndaj kryetarit të PS-së do të mbetet në nivelin e deklaratave politike apo do të shoqërohet me lëvizje konkrete brenda strukturave dhe elektoratit socialist.

Basha shprehet skeptike për mundësinë që qëndrimet kritike të Veliajt dhe Spiropalit të shndërrohen në një lëvizje të konsoliduar brenda partisë ose të prodhojnë pasoja të konsiderueshme elektorale. Ajo e lidh këtë me kulturën organizative të socialistëve, të cilët historikisht kanë prirjen “për t’u rreshtuar përkrah lidershipit të partisë, më shumë sesa për ta sfiduar atë”.

Duke iu referuar përplasjeve të së majtës gjatë tri dekadave të fundit, ajo vëren se, pavarësisht intensitetit dhe pasojave politike që kanë pasur, ato nuk kanë arritur të krijojnë një alternativë të qëndrueshme opozitare brenda Partisë Socialiste.

Edhe Progni vlerëson se një lëvizje e mundshme e Veliajt dhe Spiropalit mund të krijojë një grupim politik, por do të ketë vështirë që të ketë ndikim në të ardhmen e kësaj partie.

“Ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, që sollën sistemin e listave të mbyllura për kandidatët për deputetë, e kanë kufizuar ndjeshëm hapësirën për mendim ndryshe brenda partisë dhe kanë bërë që përpjekjet për të sfiduar Ramën nga brenda saj të dështojnë,” thotë Progni.

Ndarja më e madhe politike me pasoja elektorale që ka pësuar PS-ja gjatë tranzicionit ishte ajo e vitit 2004, kur Ilir Meta, pas përplasjeve me kryetarin dhe kryeministrin e atëhershëm Fatos Nano, vendosi të shkëputej nga partia së bashku me një grup deputetësh dhe të krijonte një forcë të re politike. Në zgjedhjet parlamentare të një viti më vonë, PS-ja kaloi në opozitë, ndërsa LSI-ja e Metës arriti të siguronte përfaqësim në Kuvend.

Situata e sotme politike vlerësohet krejt e ndryshme nga ajo e vitit 2004, pavarësisht peshës së dy protagonistëve të përplasjes me Edi Ramën. Përplasjet e vitit 2004 ishin pjesë e një konflikti të vazhdueshëm mes grupeve rivale në PS, në një parti ku kishte më shumë hapësirë për debat dhe kundërshti ndaj kryetarit.

Progni thekson se ndryshe nga kundërshtarët e Nanos që kishin një histori të gjatë përplasjesh me të, Veliaj dhe Spiropali kanë qenë për afro dy dekada mbështetës të Ramës dhe pjesë e përpjekjeve të tij për të kufizuar mendimin ndryshe brenda partisë.

Për rrjedhojë, Progni vlerëson se përplasja e sotme nuk ka të njëjtat rrënjë politike dhe organizative me atë që çoi në krijimin e LSI-së, çka e bën të vështirë një paralelizëm mes dy periudhave.

Nga ana tjetër, Basha pranon se mund të identifikohen disa ngjashmëri sipërfaqësore në nivelin e pakënaqësive dhe përplasjeve të brendshme, por thekson se ato nuk mjaftojnë për të parashikuar një përçarje strukturore apo humbje elektorale për PS-në.

“Nëse zhvillime të tilla do të ndodhnin një muaj përpara zgjedhjeve, do të isha më e prirur të konsideroja mundësinë e një ndikimi të drejtpërdrejtë në rezultatin elektoral”, thotë ajo, ndërsa shton se, socialistët kanë ende kohë për të menaxhuar tensionet dhe për ta zhvendosur vëmendjen e elektoratit nga konfliktet e brendshme te objektivat e qeverisjes.

Basha del në përfundimin se nuk ka elementë që do të shndërronin ‘pakënaqësinë individuale” të Veliajt apo Spiropalit në një alternativë politike të organizuar, me mbështetje reale përtej emrave që e artikulojnë atë./BIRN


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.