E enjte, 26 Nëntor 2026 Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Sport

Një ëndërr e ndërprerë në mes/ Futbollisti 18-vjeçar vritet në parkingun e një restoranti

Një ngjarje tragjike ka tronditur komunitetin e futbollit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një futbollist vetëm 18 vjeç, me origjinë nga Londra e Anglisë, ka humbur jetën pasi u qëllua me armë zjarri jashtë një restoranti në qytetin Jackson, në shtetin e Mississippi-t.

Viktima është identifikuar si Krissh Mahatma, student dhe futbollist i ekipit të Copiah-Lincoln Community College. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së dielës, më 22 nëntor, pranë restorantit Green Ghost Tacos.

Sipas autoriteteve, i riu u qëllua rreth orës 03:39 të mëngjesit. Ai u transportua me një automjet privat drejt spitalit, por nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra.

Në lidhje me ngjarjen është arrestuar një 22-vjeçar. Danny Luna u ndalua të martën pasdite dhe ndaj tij është ngritur akuza për vrasje. Arrestimi u krye nga njësia e urdhër-arresteve të Capitol Police, me ndihmën e Shërbimit të Marshallëve të SHBA-së.

Reklamë

Sipas informacioneve të publikuara nga mediat amerikane, Mahatma kishte qenë në restorant së bashku me disa persona të tjerë, ndërsa të shtënat dyshohet se ndodhën në një parking përballë, teksa grupi po largohej. Pronari i restorantit ka sqaruar se biznesi ishte i mbyllur në momentin e ngjarjes.

Lajmi ka shkaktuar dhimbje të madhe edhe në universitetin ku studionte dhe luante futboll 18-vjeçari.

“Copiah-Lincoln Community College po mban zi për humbjen e futbollistit të vitit të parë, Krissh Mahatma. Ai do t’u mungojë shumë shokëve të skuadrës dhe gjithë familjes Co-Lin”, deklaroi presidenti i kolegjit, Dr. Dewayne Middleton.

Ndërkohë, autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivin e ngjarjes tragjike.

Një jetë e re dhe një ëndërr sportive janë ndërprerë në mënyrë tragjike, duke lënë pas dhimbje te familjarët, miqtë dhe bashkëlojtarët e tij.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.