
Wesley Sneijder ka vendosur të nxjerrë në ankand disa prej objekteve më të çmuara të karrierës së tij futbollistike. Ish-mesfushori i Interit dhe përfaqësueses së Holandës ka shitur gjatë javëve të fundit disa relike sportive, të cilat kanë një vlerë të veçantë historike dhe emocionale.
Objekti i fundit që ka gjetur blerës është fanella e Sergio Ramosit, të cilën Sneijder e kishte shkëmbyer me mbrojtësin spanjoll në finalen e Kupës së Botës. Uniforma blu është blerë nga një tifoz brazilian për rreth 65 mijë euro.
Kjo nuk është shitja e parë e ish-futbollistit holandez. Në ankand kanë përfunduar edhe disa prej kujtimeve më të rëndësishme të karrierës së tij, përfshirë trofe dhe medalje nga aktivitetet më të mëdha ndërkombëtare.
Palloni i Argjendtë i Kupës së Botës 2010 u shit për 19 mijë euro, ndërsa medalja e bronztë e Botërorit 2014 arriti vlerën e 6.500 eurove. Gjithashtu, për 6.100 euro u shit edhe topi me të cilin Holanda eliminoi Brazilin në çerekfinalet e Kupës së Botës 2014. Ndërkohë, medalja e pjesëmarrjes në të njëjtin turne u shit për 1.024 euro.
Pas këtyre ankandeve mund të fshihet edhe një arsye financiare. Sipas raportimeve, Sneijder mund të jetë duke tentuar të rikuperojë një pjesë të parave pas një mashtrimi në fushën e pasurive të paluajtshme në Turqi, ku ish-futbollisti dyshohet se ka pësuar humbje financiare.
