OSBE/ODIHR i është drejtuar me një shkresë Komisionit të Reformës Zgjedhore, përmes së cilës kërkon sqarime mbi kalendarin e punës dhe mundësinë e zgjatjes së mandatit të tij.
Në shkresën drejtuar dy bashkëkryetarëve të Komisionit, Oerd Bylykbashi dhe Damian Gjiknuri, OSBE/ODIHR kërkon informacion më të detajuar mbi çështjet konkrete për të cilat kërkohet asistenca e ekspertëve.
“A mund të na bëni me dije kalendarin e parashikuar për angazhimin e ekspertëve, përfshirë etapat kryesore dhe datën e pritshme për përfundimin e projektligjeve? A mund të specifikoni aktet konkrete në projekt dhe çështjet për të cilat kërkohet kontributi i ekspertëve, përfshirë rekomandimet e ODIHR-it që Komisioni synon të trajtojë?
Duke pasur parasysh se mandati i Komisionit përfundon më 30 nëntor 2026, a mund të na sqaroni nëse ky afat është përfundimtar apo nëse parashikohet një zgjatje e tij? Nëse po, për çfarë periudhe? Duke marrë parasysh kohën e kufizuar që ka mbetur, do ta vlerësonim një përgjigje sa më të shpejtë për këto çështje, në mënyrë që të mund të identifikojmë formën më të përshtatshme të mbështetjes”, thuhet në shkresën e ODIHR.












