Një anëtar i ekuipazhit humbi jetën pasi një cisternë që transportonte mbi 8 milionë litra naftë dizel u përmbys pranë ishullit spanjoll të Ibizës, në Detin Mesdhe, njoftuan të enjten autoritetet lokale.
Gjashtë anëtarë të tjerë të ekuipazhit pësuan hipotermi kur anija Med Emre u fundos gjatë natës, bëri të ditur në një deklaratë qeveria e Ishujve Balearikë të Spanjës, ku përfshihet edhe Ibiza.
Qeveria deklaroi se aktivizoi menjëherë planet e emergjencës, pasi anija transportonte 8.2 milionë litra naftë dizel.
Fillimisht nuk ishte e qartë nëse ndonjë pjesë e karburantit kishte rrjedhur në det.
Sipas qeverisë, në vendngjarje është dërguar një anije e specializuar për shpëtim detar, me qëllim hetimin e ndotjes së mundshme, ndërsa situata po monitorohet edhe nga ajri.
Deti Mesdhe në zonën ku u fundos anija ka një thellësi prej disa qindra metrash.
Autoritetet njoftuan se Med Emre ishte duke udhëtuar nga Algeciras, në provincën jugore spanjolle të Cádizit, drejt Barcelonës, kur ndodhi incidenti.
Anija, e cila lundronte nën flamurin maltez, raportoi depërtim të ujit në bord rreth 25 milje detare (afërsisht 46 kilometra) në verilindje të Ibizës, në kushtet e motit me stuhi dhe dallgëve të larta. Shkaku i depërtimit të ujit fillimisht nuk dihej.
Shërbimi i shpëtimit detar dërgoi tre helikopterë nga Palma, Valencia dhe Tarragona, si dhe disa anije shpëtimi. Edhe anije të tjera që ndodheshin në afërsi morën pjesë në operacionin e shpëtimit të 17 anëtarëve të ekuipazhit. Njëri prej tyre u shpall i vdekur në një spital në Ibiza./DPA News
© SYRI.net