PD kërkoi në Kuvend zgjatjen e afatit të Komisionit të Reformës Zgjedhore. Oerd Bylykbashi tha se komisioni kishte rënë dakord t’i kërkonte Venecias asistencë për të gjitha paketat e reformës, jo vetëm për ligjin për financimin e partive politike.
Taulant Balla i bëri thirrje opozitës të vijojë punën në komision, i cili e ka afatin deri më datë 30 dhe tha se kjo ishte hera e fundit që i zgjatej mandati. Balla i kujtoi opozitës edhe lobimin 6 mln dollarë në SHBA, duke thënë se është e vetmja parti që nuk e do ligjin e financimit të partive politike.
Oerd Bylykbashi: Unë kam kërkuar zgjatjen e afatit të Komisionit të Reformës Zgjedhore. Sot ka ardhur Komisioni i Venecias. Do të kemi një takim pas pak për të diskutuar për asistencën që do të na japë. Për fat të keq, shkresa juaj i ka keqdrejtuar, duke kërkuar asistencë vetëm për ligjin e financimit të partive politike, por ne në komision, me konsensus, e kemi thirrur për të gjitha paketat.”
Taulant Balla: Ne e kemi ngritur komisionin e posaçëm sipas një formule tradicionale të dakordësuar. Pas datës 30, ju s’keni të drejtë të merrni peng axhendën europiane, axhendën e shqiptarëve. Ftesa është aty. Uluni sot, nesër, pasnesër, të dielën. Punoni me seriozitet. Po mos e harro, aty, në atë foltore, ta kam thënë sot e gjashtë muaj më parë. Është hera e fundit që ne e zgjasim mandatin. Do të rikthehemi në një komision tjetër të reformës zgjedhore për të punuar së bashku, ndoshta pas zgjedhjeve, ndoshta para zgjedhjeve, por ky komision duhet të jetë serioz. Pasi e bojkotove, u kujtove se po mbaron afati, me shpresën se po e pengojmë këtë detyrë shtëpie. Ajo që duam prej jush është të ecim para me ligjin për financimin e partive. Jeni e vetmja opozitë që s’doni t’i nënshtroheni kontrollit, se e keni hall se ju del ku i çuat 6 milionë dollarë për një vizë.
Oerd Bylykbashi: Me të njëjtin skenar të reformës territoriale, do ta vrasin dhe do ta bëjnë siç duan. Ne kemi gatishmërinë, kemi sjellë propozimet për rekomandimet e ODIHR-it. Ju s’keni sjellë asgjë, zero deri tani.
Lajmi kryesor:
LIVE - Kuvend/ Diskutime për ‘buxhetin’ dhe ‘paketën fiskale’, opozita 40 amendamente! PD kundër ‘paketës antidhunë’ ndaj protestuesve






