Si sot, 114 vite më parë, patriotët tiranas ngritën flamurin kuqezi në Tiranë, dy ditë përpara shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë. Në kujtim të kësaj ngjarjeje, Bashkia e Tiranës organizoi sot një ceremoni pranë mozaikut të Flamurit të Pavarësisë.
Në ceremoni morën pjesë drejtues të Bashkisë së Tiranës, përfaqësues të Prefekturës, Këshillit të Qarkut dhe komuniteteve fetare.
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Sadi Vorpsi, vlerësoi kontributin e patriotëve tiranas në shpalljen e Pavarësisë, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë historike dhe përcjelljes së vlerave të patriotizmit te brezat e rinj.
“26 nëntori është një ditë krenarie, mirënjohjeje dhe reflektimi për Tiranën. Është dita kur kujtojmë dhe nderojmë të gjithë ata patriotë, që me mençurinë, guximin dhe vendosmërinë e tyre bënë të mundur ngritjen e flamurit kuqezi në qytetin tonë, 114 vite më parë. Sot, Tirana e madhe, Tirana e mikpritjes dhe bujarisë, krenohet me paraardhësit e saj, të cilët patën vizionin dhe kurajën për të ndryshuar rrjedhën e historisë, duke dhënë një kontribut të çmuar në rrugëtimin drejt pavarësisë së vendit”, u shpreh Vorpsi.
Ai tha se vepra e patriotëve mbetet një burim frymëzimi për brezat e sotëm.
“Vepra e tyre na frymëzon dhe na ngarkon me përgjegjësinë për të ruajtur trashëgiminë historike, për të forcuar bashkimin dhe ndërtuar një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë. Në emër të Bashkisë së Tiranës shpreh mirënjohjen më të thellë për të gjithë ata që dhanë emër, dinjitet dhe lavdi për qytetin tonë. Gëzuar 26 nëntorin, gëzuar festën e pavarësisë së gjithë shqiptarëve!”, tha Vorpsi.
Ngritja e flamurit kombëtar në Tiranë, më 26 nëntor 1912, shënon një nga momentet e rëndësishme të historisë së qytetit dhe të përpjekjeve për krijimin e shtetit shqiptar.










Komente
Komento