Thursday / November 26 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Lajmet Kryesore Nga Vendi

Komisioni i Ekonomisë kërkon TVSH 6% për ujin e ambalazhuar, produktet e higjienës

Share Share Icon

Komisioni për Ekonominë dhe Financat pas një procesi njëmujor shqyrtimi të Paketës Fiskale, i ka propozuar sot për miratim Kuvendit të Shqipërisë disa ndryshime për ligjet e paketës fiskale. Në seancën plenare, deputeti Erjon Braçe, në emër të Komisionit, prezantoi ndryshimet e rekomanduara për votim.

Një ndër rekomandimet kryesore të Komisionit lidhet me zgjerimin e listës së produkteve që do të përfitojnë nga norma e reduktuar e TVSH-së prej 6%, nga 20% që aplikohet aktualisht.

Me propozimin e Komisionit, kësaj liste i shtohen djathi i bardhë dhe gjiza e prodhuar nga qumështi i lopës, deles dhe dhisë. Gjithashtu, është propozuar aplikimi i TVSH-së 6% për ujin e fabrikuar.

Braçe bëri të ditur se lehtësimi fiskal do të shtrihet edhe te produktet e domosdoshme për familjet, duke përfshirë pelenat e fëmijëve, si dhe produktet e higjienës për gratë dhe vajzat gjatë ciklit menstrual.

Deputeti Erjon Braçe tha gjithashtu se Komisioni i Ekonomisë i ka kërkuar qeverisë të vijojë me një masë të rëndësishme në mbështetje të shëndetit riprodhues të grave dhe vajzave që vuajnë nga sëmundje të ndryshme gjatë ciklit menstrual.

Propozimi parashikon dhënien e 1 dite pushim, në ditën akute të sëmundjes, bazuar në rekomandimin dhe vendimin e mjekut.

Kjo masë synon të njohë dhe të mbështesë nevojat shëndetësore të grave dhe vajzave që përballen me probleme shëndetësore gjatë ciklit menstrual.

Ky i fundit përbën një lehtësi të re fiskale për gratë dhe vajzat, pas 36 vitesh. Masat e propozuara pritet të hyjnë në fuqi më 1 janar dhe synojnë të kenë ndikimin më të ndjeshëm te familjet ku shpenzimet për ushqime dhe nevoja bazë zënë një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave.

Në të njëjtën linjë, Braçe prezantoi edhe propozimin për dyfishimin e pagesave për personat me aftësi të kufizuara.

Kontroll për çmimet, që përfitimi fiskal të shkojë te qytetarët

Komisioni ka kërkuar që të vihet në dispozicion lista e plotë e produkteve që do të përfitojnë nga TVSH-ja e reduktuar.

Po ashtu, ka kërkuar miratimin e një instrumenti kontrolli për të garantuar që ulja e barrës fiskale të reflektohet në çmimet e produkteve dhe të përkthehet në përfitim real për qytetarët.

Qëllimi është që lehtësimi tatimor të mos mbetet vetëm në nivelin e politikës fiskale, por të ndihet drejtpërdrejt në buxhetin familjar.

TVSH 10% për akomodimin, agroturizmi ruan regjimin aktual

Një tjetër rekomandim i mbështetur nga Komisioni lidhet me ndryshimin e normës së TVSH-së në sektorin e akomodimit, nga 6% në 10%. Ndërkohë, agroturizmi do të vijojë të përfitojë nga regjimi aktual fiskal.

Braçe vuri në dukje se hotelet dhe resortet me pesë yje që operojnë nën marka ndërkombëtare do të vijojnë të përfitojnë nga lehtësitë fiskale, përfshirë përjashtimet nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, taksa e ndërtesës dhe tatimi mbi të ardhurat e korporatave. Gjithashtu, ato do të vijojnë të përfitojnë nga TVSH-ja 6% për linjat e tyre të ushqimit.

Por krahas trajtimit fiskal të sektorit, Komisioni ka ngritur si prioritet edhe formalizimin e tij.

 

Në këtë kuadër, është kërkuar që të merren masa për tatimin e aktivitetit informal të akomodimit, veçanërisht për pronat që jepen me qira afatshkurtra përmes platformave online.

Pragu i TVSH-së ulet nga 10 në 5 milionë lekë

Në kuadër të masave për formalizimin e ekonomisë, Komisioni ka mbështetur edhe zhvendosjen e pragut të regjimit të TVSH-së nga 10 milionë në 5 milionë lekë.

Kjo masë synon të kufizojë hapësirat për informalitet dhe të zgjerojë bazën e subjekteve që përfshihen në regjimin e TVSH-së.

Ndërkohë, Braçe theksoi se favori i rëndësishëm i tatimit zero do të vijojë deri në vitin 2029.

Gjatë diskutimeve në Kuvend për Paketën Fiskale, Braçe theksoi se Komisioni për Ekonominë dhe Financat ka zhvilluar një proces të plotë dhe intensiv njëmujor, ku janë marrë në shqyrtim diskutime, propozime dhe ndryshime të rëndësishme në ligjet e paketës.

Ai nënvizoi se ndryshimet e propozuara për votim nuk deformojnë parimet kryesore dhe rregullat ligjore të një buxheti të përgjegjshëm.

Sipas Braçes, ato nuk prekin deficitin buxhetor, nuk zhbëjnë rregullin e artë të investimeve dhe nuk përmbysin detyrimin vjetor për uljen e borxhit publik deri në nivelin 52%.

Një nga objektivat kryesorë të Paketës Fiskale, sipas tij, është çlirimi nga barra tatimore i qytetarëve me të ardhura dhe shpenzime të ulëta, familjeve në nevojë dhe shtresës së mesme.

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Të korrësh kilovatë

Investimi i humbjeve të energjisë elektrike në panele diellore mund të shpëtojë njëkohësisht arkën e shtetit dhe të krijojë një motor hibrid që e l...

3 hours më parë 11 Min Lexim

Katër ditë pushim, nga 55 në 2,700 euro; Ku do të udhëtojnë shqiptarët për festat e Nëntorit?

Nga një fundjavë në Korçë për 55 euro, te katër ditë në Paris për afro 600 euro apo një udhëtim në Tajlandë për 2,700 euro, festat e Nëntorit kanë ...

7 hours më parë 7 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!