Nufi: Shqipëria dhe Kosova të forcojnë bashkëpunimin kibernetik, siguria pjesë e sovranitetit kombëtar

Politikë | 8 minuta më parë

Shqipëria dhe Kosova duhet të thellojnë bashkëpunimin në fushën e sigurisë kibernetike, përmes shkëmbimit të informacionit, ushtrimeve të përbashkëta dhe koordinimit më të ngushtë institucional. Kjo ishte thirrja e ministrit të Mbrojtjes, Ermal Nufi, gjatë konferencës “Sfidat e Sigurisë së Informacionit në realitetin e TIK”, të zhvilluar në Tiranë.

Nufi theksoi se siguria e informacionit është pjesë e pandashme e sovranitetit dhe sigurisë kombëtare, ndërsa mbrojtja e infrastrukturave kritike dhe sistemeve digjitale është një domosdoshmëri për funksionimin e institucioneve.

“Një sulm ndaj sistemeve të informacionit, një cenim i infrastrukturës kritike apo një rrjedhje e informacionit të klasifikuar mund të prodhojë pasoja të drejtpërdrejta për sigurinë kombëtare, funksionalitetin e institucioneve dhe besimin e qytetarëve”, deklaroi ministri.

Duke u ndalur te zhvillimi i Inteligjencës Artificiale, Nufi vuri në dukje se teknologjitë e reja po ndryshojnë natyrën e kërcënimeve, duke krijuar mundësi për sulme më komplekse, manipulim të informacionit dhe shfrytëzim të dobësive në sistemet digjitale.

Një vëmendje të veçantë ministri i kushtoi partneritetit mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke e cilësuar atë si një domosdoshmëri strategjike përballë kërcënimeve kibernetike.

“Ne duhet të jemi të vendosur ta çojmë bashkëpunimin dhe partneritetin tonë në një nivel më konkret dhe më ambicioz!”, u shpreh Nufi.

Ai propozoi krijimin e një agjende të përbashkët me objektiva të matshme, forcimin e konsultimeve ndërinstitucionale, zhvillimin e ushtrimeve të përbashkëta kibernetike, shkëmbimin e sigurt të informacionit dhe programeve të përbashkëta akademike e profesionale.

Ministri theksoi gjithashtu rëndësinë e koordinimit me NATO-n, Bashkimin Evropian dhe partnerët ndërkombëtarë, duke nënvizuar se sfidat e reja të sigurisë nuk mund të përballohen nga një shtet apo institucion i vetëm.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme