Ardita Kuçi, ‘super-shefja’ e IPARD: 1211 procedura me 128 milionë euro kontrata false, por vazhdon drejtoreshë e AZHBR-së

Kryesore

Publikuar: 26/11/2026

Ardita Kuçi, ‘super-shefja’ e IPARD: 1211 procedura me 128 milionë euro kontrata false, por vazhdon drejtoreshë e AZHBR-së

Nga Sektori i Legjislacionit te Drejtore e Përgjithshme; Ardita Kuçi ka nënshkruar 1211 procedura me vlerë 128 milionë euro si hartuese e miratuese e kontratave e raporteve false për fondet ‘IPARD II’, sipas dosjes së OLAF-BE e BKH-së. Por nuk u prek nga drejtësia, madje u promovua nga Frida Krifca me urdhër të Edi Ramës, dhe vijon të abuzojë me fondet që jep qeveria shqiptare.

Aktiviteti i Drejtoreshës së AZHBR-së, Ardita Kuçi, nuk ka vetëm lidhje në interesa të pista me Mario Berberin, biznesmenin e Devollit të skeduar për kontrabandë e korrupsion në Doganën e Kapshticës dhe për evazion fiskal e pastrim parash me disa biznese.

Kompania “Dritë” sh.p.k., e krijuar më 6 janar 2023 nga Ardita Kuçi, u shpall bashkëpërfituese e 26.56 ha tokë shteti në Bilisht, për ndërtimin e impiantit fotovoltaik “SPV Bilisht Park”.

Por në datën 4 mars 2024, ajo ia shiti aksionet fiktivisht për 100 lekë Vilson Myrtollarit, ndërsa ky ia kaloi kontrabandistit Mario Berberi, ndërsa Ardita Kuçi rimori përsëri 20% aksione në impiantin fotovoltaik “SPV Bilisht Park”.

Por emri i Ardita Kuçit ka dalë dhe në dosjen hetimore të OLAF-BE dhe SPAK, për batërdinë ndaj fondeve “IPARD II” që dërgoi BE-ja për fermerët gjatë viteve 2017-2021, kur ajo ishte përgjegjëse e disa sektorëve kryesorë në Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor Rural (AZHBR).

Me përvojë si seksere dhe firmosëse aferash korrupsioni e vjedhjesh gjatë viteve 2013-2017 në Bashkinë e Tiranës dhe Ministrinë e Transportit e Punëve Publike, e emëruar nga LSI-ja, Ardita Kuçi, në dhjetor 2017, u emërua me disa detyra radhazi në AZHBR, ku është “tepsia” e miliona euro fondeve të fermerëve.

Një muaj pas emërimit, konkretisht në janar 2018, ish-drejtoresha e AZHBR-së, Frida Krifca, i besoi Ardita Kuçit detyrën e Përgjegjëses së Sektorit të Përafrimit të Legjislacionit dhe Ndihmës së Huaj, ku ishin 138 milionë euro fonde “IPARD II” që dërgoi BE-ja për fermerët.

Pasi dha provat e sekserimit dhe abuzimeve e falsifikimeve me letrat e administrimit të fondeve dhe kontratave fiktive, ish-drejtoresha Frida Krifca, në shtator 2019, e emëroi Ardita Kuçin Përgjegjëse të Sektorit Juridik, ku kishte nën kontroll të gjitha procedurat ligjore të lëvizjes së fondeve të AZHBR-së.

Në nëntor 2022, Ardita Kuçi, me përvojë në “kafshimin dhe shqyrtimin” e fondeve IPARD, u emërua Drejtore e Planifikimit, Monitorimit të Skemave Mbështetëse.

Me këtë detyrë, Ardita e Beratit kishte kompetencë tenderët, miratimin e grandeve: ndarjen sipas rretheve, përgatitjen, miratimin dhe rishikimin e kontratave, likuidimin e pagesave për fermerët, riskun, kontrollin dhe raportimin për zbatimin e kontratave me fondet “IPARD II” të BE-së dhe grandet që jepte qeveria shqiptare.

Në dosjen hetimore “Krifca” që ka dorëzuar OLAF-BE bashkë me kallëzimin penal, si dhe në hetimin e thelluar që ka bërë BKH-ja, emri i Ardita Kuçit si super-shefe në AZHBR ka dalë në 1211 procedura me vlerë 128 milionë euro, si hartuese dhe miratuese kontratash e raportesh false, sikur fondet janë dhënë e realizuar për investime të fermerëve.

Por çuditërisht, Ardita Kuçi jo vetëm nuk u prek nga drejtësia, por e vazhdoi atë detyrë dhe abuzimet me fondet e fermerëve dhe tenderët, deri në muajin shtator 2024, kur me propozim të Frida Krifcës dhe urdhër të Edi Ramës, u emërua Drejtore e Përgjithshme e AZHBR-së.

Gjatë 2 viteve drejtoreshë e AZHBR-së, ku është akoma, Ardita Kuçi nuk ka patur mundësi për të bërë pazare me fondet e BE-së, sepse ato janë bllokuar nga Komisioni Europian, për shkak të abuzimeve që ka bërë bashkë me ish-shefen Frida Krifca, vlerë 128 milionë euro “IPARD” gjatë viteve 2017-2021, dhe nuk po preket nga drejtësia.

Por po vazhdon abuzimet me fondet që Qeveria Shqiptare ka dhënë për fermerët, madje më lirshëm tani që është drejtoreshë e AZHBR-së, duke dhënë fondet me falsifikime e kontrata klienteliste. Kaq për sot./Pamfleti