Mbetet në qeli deri në përfundim të hetimeve Arjan Rapi, i njohur më parë dhe si “koka” e grabitësve të kasafortave në kryeqytet.

Vendimi është marrë nga Gjykata e Durrësit. 51-vjeçari u arrestua të dielën nga Policia e Durrësit, i dyshuar për vjedhjen e një apartamenti në lagjen nr. 4, nga ku janë marrë 22 mijë euro, 800 mijë lekë dhe sende luksoze.

Vjedhja e kryer pa thyerje u zbulua nga nëna e pronarit të banesës, i cili jeton jashtë vendit. Gruaja, që kujdesej për banesën, konstatoi mungesën e sendeve me vlerë dhe parave dhe njoftoi menjëherë policinë, e cila e arrestoi pas verifikimeve të kryera. Në pranga përfundoi edhe një 24-vjeçare nga Lushnja, e dyshuar nga policia si bashkëpunëtore e Rapit. Gjykata caktoi për të masën “arrest në shtëpi”, ndërsa për 51-vjeçarin “arrest në burg”.

Sipas hetimeve, sendet e vjedhura ishin dërguar në banesën e 24-vjeçares, ku policia gjeti një pjesë të tyre. Ndërkaq në shtëpinë e Rapit në lagjen 13 të Durrësit u sekuestruan maska, çelësa dhe veshjet që dyshohet se u përdorën gjatë vjedhjes. Hetimet për rastin vijojnë.

Top Channel